Kryediplomati çek në Prishtinë këtë javë, shanset e Kosovës për liberalizimin e vizave

Tetori mund të jetë një shans për Kosovën që të marrë dritë jeshile për liberalizimin e vizave. Kryediplomati çek, që ka edhe presidencën e BE-së, mbërrin në Prishtinë këtë javë, pikërisht për të diskutuar mbi këtë temë.

Kosova mbetet i vetmi vend i diskriminuar në Ballkanin perëndimor që Bashkimi Evropian nuk i ka liberalizuar vizat.

Këtë javë mbërrin në Prishtinë, për këtë temë, kryediplomati çek Jan Lipavsky. Presidenca çeke e BE-së ka thënë se do ta rihapë diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën këtë vjeshtë.

“Qasja gjeopolitike e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është e domosdoshme. Rajoni ka nevojë për sinjal të qartë se procesi i zgjerimit të BE-së është i besueshëm dhe se BE-ja është e gatshme t’i shpërblejë përpjekjet për reforma që bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në letrën që pak ditë më parë presidenca çeke e BE-së u dërgoi vendeve anëtare.

Duhet një vlerësim pozitiv në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, që më pas të procedohet me mekanizmat për liberalizimin e vizave.

Komisioni Evropian ka nisur dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën në vitin 2012, ndërsa në korrik të vitit 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Parlamenti Evropian, në vazhdimësi, ka konfirmuar se mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.