SHBA e BE i kërkojnë xhevap Serbisë, Uashingtoni: Presim sqarime për marrëveshjen me Rusinë

Serbia duket se i ka bërë llogaritë gabim me traktatin që lidhi me Rusinë pak ditë më parë. Uashingtoni dhe Brukseli ndërsa e kritikojnë Beogradin për marrëveshjen kërkojnë sqarime për motivet që e afrojnë vendin me Moskën. 

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësim për forcimin e marrëdhënieve të mëtejshme mes Rusisë dhe Serbisë pasi dy shtetet nënshkruan një marrëveshje për harmonizim të politikave të jashtme.

Uashingtoni zyrtar përmes përfaqësuesit të tyre në Beograd, ambasadorin Kristofer Hill tha se SHBA-të presin sqarime nga qeveria serbe lidhur me traktatin e nënshkruar me Rusinë në Nju Jork.

Hill: Në këtë moment, askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë, shumë pak bëjnë. Javën e kaluar patëm bisedime të shkëlqyera ndërmjet delegacioneve të SHBA-se dhe Serbisë ndërsa në fund të saj, pas gjithë atyre bisedimeve u informuam për protokollin.

Ndërsa Bashkimi Evropian reagoi përmes zëdhënësit të zyrës diplomatike të Brukselit.

Zëdhënësi i Borrellit, Peter Stano, thotë se vendimi i Beogradit për të forcuar marrëdhëniet me Moskën vjen në kohën kur Rusia po përbën një kërcënim për të gjithë botën perëndimore.

Stano: Nëse Serbia pajtohet për të nënshkruar marrëveshje me shtetin që po kryen një agresion atëherë kjo është një shenjë që Beogradi po i forcon raportet me Rusinë. Dhe kjo ngreh shqetësime serioze. Raportet me Rusinë në këtë kohë nuk mund të jenë sikur asgjë s’ka ndodhur. Këto ne i marrim shumë seriozisht.

Stano ftoi presidentin Vuçiç që të sigurojë si pjesë e procesit të anëtarësimit të BE-së një koherencë më të fuqishme mes nismave të saj në politikën e jashtme në mbështetje të Ukrainës.

Në Nju Jork, në margjinat e Asamblesë së OKB-së ministri i Jashtëm serb, Nikolla Sellakoviç dhe homologu i tij rus Sergej Lavrov nënshkruan një marrëveshje për të harmonizuar politikën e jashtme, ndërkohë që Beogradit po i kërkohet që të tregojë njëtrajtshmëri me politikën e Brukselit dhe të dënojë Rusinë për luftën në Ukrainë.

Deri më sot, Serbia është shteti i vetëm në rajon që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës.