Zgjedhje ‘moniste’ brenda VV, Albin Kurti rikandidon për lider partie, nuk ka garues të tjerë
Lideri i Vetëvendosjes i ka quajtur demokratike zgjedhjet brenda kësaj partie edhe pse nuk ka pasur asnjë garues tjetër përveç Albin Kurtit. Analistët nga Kosova i thanë Ora News se Vetëvendosja po shkon drejt autoritarizmit të liderit.
Partia më e madhe në Kosovë Lëvizja Vetëvendosje zhvillon zgjedhje të përgjithshme brenda kësaj force politike.
E kemi dëgjuar të flasë për demokraci madje edhe për luftën në Ukrainë, apo edhe kur kritikon qeverinë serbe.
Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti i quajti zgjedhjet brenda kësaj force politike si ditën demokracisë edhe pse kundër tij nuk ka asnjë kandidat pretendent për t’u bërë lider i vetëvendosjes.
Albin Kurti: Sot është ditë e demokracisë në Lëvizjen Vetëvendosje për shkak se kemi zgjedhje të brendshme dhe secili anëtar i subjektit tonë politik mudn dhe duhet të dëgjohet.
Për politologun Albinot Maloku i cili iu përgjigj interesit të Ora News, zgjedhjet jo demokratike me një kandidat brenda Vetëvendosjes do t’i kushtojnë humbjen kësaj force politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Albinot Maloku: Zgjedhjet brenda Vetëvendosjes pa kundër kandidat për kreun e saj e po ashtu edhe për drejtuesit lokalë në disa komuna janë në mospërputhje me parimet themelore të demokracisë e kjo ndërlidhet me alternativën në zgjedhje. Përzierja në ideologji që ka mbretëruar në LVV dhe e cila i solli fitoren në shkurtin e 2021-shit, me këtë proces zgjedhor do të shkërmoqet në zgjedhjet e ardhshme. Kandidati i vetëm për kryetar partie, Albin Kurti me siguri do t'i fitojë zgjedhjet me rezultat absolut.
Ish-deputetja dhe anëtarja e Vetëvendosjes Shqipe Pantina e kontaktuar nga Ora Neës thotë se figura e liderit brenda Vetëvendosjes e përjashton mundësinë e garës.
Shqipe Pantina: Aktualisht brenda Vetëvendosjes nuk as vullnet e as potencial për t’u përballur me Kurtin ose kreun e partisë. Mënyra si është ndërtuar VV është si shumica e partive të bazuara në karizmin e liderit, në VV kjo është shumëfish më e theksuar. Në këto zgjedhje madje shumë kandidatëve për lider lokal të partisë as nuk iu është dhënë mundësia për të kandiduar.
Ora News pyeti edhe zëdhënësin e Lëvizjes Vetëvendosje, zotin Arlind Manxhuka por nuk pati një reagim për pyetjen se cila është arsyeja se përse nuk ka një aspirant për të garuar kundër zotit Kurti.
Krahas zgjedhjes së liderit, anëtarët e Vetëvendosjes do të zgjedhin edhe kryetaren e Gruas, forumit rinor dhe drejtuesit e strukturave të tjera.


