Kryetarë bashkish me primare, Noka thirrje nga Ora News: Ftojmë çdo aspirant ti nënshtrohet votës së lirë

Ndërsa Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike pritet të miratojë në mbledhjen e kësaj të shtune primaret për zgjedhjet vendore, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie Flamur Noka nga studio e Ora News adresoi një thirrje të qartë për të gjithë demokratët që aspirojnë për të qenë kryetarë bashkie.

Përballë gazetarit Everest Dedaj, ai tha se ky sistem është maksimumi i ushtrimit të demokracisë direkte në një proces zgjedhor.

Noka: Ne nuk kemi asnjë kundërshtar përveç Edi Ramës dhe regjimit të tij. Ftojmë çdo deputet të PD ti bashkangjitet kauzës për rrëzimin e Edi Ramës, ftojmë çdo demokrat që kërkon të përballet me regjimin, të rrëzojë regjimin, që kërkon fitoren të shkojë të ushtrojë votën e tij, vullnetin e tij për të përzgjedhur atë që e gjykon që është kandidatura më e mirë për ta përfaqësuar përballë Rilindjes. Ftojmë çdokënd që aspiron për të qenë kryetar bashkie dhe për të drejtuar bashkitë e PD të shkojë ti nënshtrohet vullnetit të votës së lirë, primareve. Ky është maksimumi i ushtrimit të demokracisë direkte në një proces zgjedhor.

I pyetur nëse thirrja vlen edhe ata që i kanë akuzuar si të shitur te Rama, Noka tha se ky është momenti që duhet të kuptojnë se vendi i tyre është te demokratët dhe votuesit që i kanë zgjedhur.

Noka: Është momenti që në rast se gjykojnë se Rama nuk është e keqja e këtij vendi derën e kanë të hapur të vijnë të kontribuojnë sëbashku me ne. Dera është e hapur, demokratët që i kanë votuar, i kanë zgjedhur, i presin aty. Vendi i tyre është te  votuesit, demokratët, nuk është vendi i tyre siç bën Jorida Tabaku që i bën elozhe Lindita Nikollës duke i thënë se je kryetarja më e mirë që ka pasur demokracia. Në rast se më thoni se kjo është përballje me regjimin! Ishte shpirtërore, donte të bënte krahasimin me nënkryetaren.