Von Der Leyen ndërhyn në votën e italianëve? E djathta kundër deklaratave të kryekomisioneres

Pak orë nga vota e italianëve e 25 shtatorit dhe nga heshtja elektorale 24 orëshe para zgjedhjeve, deklaratat e Kryekomisioneres europiane Ursula Von Der Leyen, nga Amerika ku ndodhet për një vizitë institucionale, kanë ndezuar debatet politike.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve në Universitetin Princeton, mbi zgjedhjet në Itali, Von Der Leyen do të shprehej se "le të presim rezultatin e zgjedhjeve, por nëse gjërat shkojnë në një situatë të vështirës siç ndodhi në Poloni e Hungari, kemi të gjitha instrumentet.

Është interesante, tha ajo, të shohësh të gjitha dinamikat brenda Këshillit të Europës, nuk je vetëm një vend anëtar, që thua dua këtë apo dua atë, por e ardhmja jote dhe mirëqënia varet dhe nga ata 26 të tjerë. Populli për të cilin qeveritë japin llogari, luajnë një rol të rëndësishëm.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Menjëherë pas publikimit mediatik të kësaj deklarate, Antonio Tajani, nën kryetari i Partisë Popullore Europiane e koordinatori unik i Forza Italia reagoi duke e konsideruar "një gafë të rëndë të Kryekomisioneres, një rrëshkitje të keqe të stilit të saj politik."

"Është e habitshme që Von der Leyen që zakonisht është mjaft e kujdeshme bën deklarata të tilla. Dua t'i kujtoj se Italia është një nga vendet themluese të Bashkimit Europian, fuqia e dytë industriale në Europë e qytetarët italianë votojnë të lirë. Nuk ka asnjë emergjencë demokratike për të kundërshtuar e asnjë proces të rrezikshëm në akt," tha Tajani.

Nuk ka vonuar dhe reagimi i liderit të Lidhjes Matteo Salvini që "e quan një kërcënim i ulët fjalët e kryekomisioneres, e cila përfaqëson të gjithë europianët e jo vetëm të majtët. Janë fjalë mjaft të rënda për të cilat ose duhet të dorëhiqet ose të kërkoj falje publike."

Gjithashtu ka reaguar dhe kandidatja më e preferuar nga sondazhet për të qenë Kryeministre e ardhshme e Italia, liderja e Fratelli D'Italia, Giorgia Meloni e cila shprehet se "Komisionerët europianë janë si me qenë ministra të Komisionit europian, prandaj duhet të kenë kujdes kur të shprehen. Partitë, parlamenti e roli politik janë gjëra të ndryshme." 

Pas reagimit të qendrës së djathtë italiane ndaj fjalëve të Kryekomisioneres Von Der Leyen, ka mbërritur dhe një notë zyrtare nga zyra e saj që përmes zëdhënësit Eric Mamer, thotë se "instrumentet për të cilat Kryekomisionerja flet janë traktatet e shtetit të së drejtës në Komisionin Europian e nuk ka asnjë ndërhyrje në zgjedhjet italiane. Qasja është se do të bashkëpunojmë me çdo qeveri demokratike që do të jetë bashkëpunese me ne".

Por dhe mbi trakatet europiane të shtetit të së drejtës, analistët italianë kujtojnë se janë instrumentet që në rastin e Polonisë e Hugnarisë, vende të cituar nga vetë Kryekomisonerja, janë mekanizma që sipas deklaratës së bërë ditë më parë nga komisionari europian për drejtësinë Didier Reynders, përdoren për të bllokuar fondet e BE, kur shkelen principet demokratike të traktave europiane.

Pra duket qartë se qeveria e re italiane që do të dalë nga zgjedhjet e 25 shtatorit, ndiqet me vëmendje të lartë dhe nga BE, por që nuk duhet harruar se çdo shtet është sovran e përgjigjen më të mirë e më korrekte përtej, roleve institucionale të komisionerëve e japin zgjedhësit.

Në duart e tyre është fuqia vendosëse e urtësia për të sheshuar çdo ndërhyrje qoftë dhe gafë.