E djathta në pushtet pas 11 vitesh, Blloku sovranist pritet të fitojë zgjedhjet e përgjithshme në Itali
Zgjedhjet italiane të së dielës nuk pritet të shkaktojnë surpriza të mëdha. Xhorxha Meloni pritet të bëhet kryeministrja e parë femër e vendit në koalicion me partinë e Mateo Salvinit dhe ish-kryeministri Silvio Berluskonin.
Italianët do t’i drejtohen kutive të votimit të dielën për të zgjedhur pasardhësin e Mario Draghit i cili u shkarkua në korrik pas mosmarrëveshjeve të të ashtuquajturit qeveria e Unitetit Kombëtar.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 shtatorit pritet t’i fitojë koalicioni i djathtë i udhëhequr nga e djathta ekstreme Fratelli d’Italia e Giorgia Melonit e cila mund të bëhet kryeministrja e parë femër në Itali.
Krah zonjës Meloni do të jetë edhe partia tjetër e së djathtës ekstreme Lega e Mateo Salvinit si edhe partia e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi Forza Italia.
Kjo pritet të jetë qeverisja më e djathtë që Italia ka pasur që pas Luftës së Dytë Botërore.
Në forcimin e së djathtës kanë ndihmuar edhe ndasitë e bllokut të qendrës së majtë pasi përpjekjet e Partisë Demokratike për të formuar një aleancë të gjerë elektorale dështuan.
Sistemi zgjedhor i Italisë favorizon grupet që janë në gjendje të krijojnë aleanca të gjera, me gjasë duke favorizuar fitoren e bllokut të krahut të djathtë.
Si në të gjitha shtetet e tjera të BE-së, kriza ekonomike ka qenë çelësi i fushatës italiane të cilat kanë lënë pas problemet sociale.
Aleanca konservatore është zotuar për të ulur taksat në të gjithë vendin në mënyrë që të ndihmojë italianët të përballojnë rritjen e konsiderueshme të çmimeve.
Po ashtu Meloni dhe Salvini do të punojnë për të parandaluar emigracionin e paligjshëm që sipas tyre është rritur nën qeverisjen e majtë.
E vetmja ndasi mes bllokut sovranist është lufta në Ukrainë.
Giorgia Meloni ka shprehur mbështetje për politikat perëndimore ndaj Rusisë, ndërsa Salvini i ka bërë thirrje BE-së që të mbrojë italianët nga efektet anësore ekonomike të sanksioneve anti-ruse.
Të premten Berlusconi shkaktoi polemika duke mbrojtur presidentin rus Vladimir Putin duke relativizuar rolin e tij në nisjen e konfliktit të armatosur.
Të paktën 51 milionë italianë kanë të drejtë vote.
Kutitë do të hapen nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 23:00 të mbrëmjes.
