Macron: Vendimet e Putinit do ta izolojnë më tej Moskën
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i bëri thirrje sot komunitetit ndërkombëtar që të ushtrojë “presion maksimal” ndaj presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, i cili tha se ishte i gatshëm të përdorte "të gjitha mjetet" në arsenalin e tij kundër Perëndimit.
Vendimet e marra nga Putin, i cili gjithashtu njoftoi mobilizimin e rezervave, "çojnë në izolimin e mëtejshëm të Rusisë", shtoi presidenti francez, në komentet që bëri në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Në këtë frymë, ai përshëndeti njoftimet e fundit nga Kina dhe India, të cilat bënin thirrje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Vendimi i Putinit është një lajm i keq për popullin rus, për të rinjtë dhe do të intensifikojë izolimin e vendit të tij”, tha Macron, duke e quajtur rekrutimin një “gabim”.
Në një koment të parë pas transmetimit të fjalimit të Putinit, Macron tha se fuqitë bërthamore duhet të "veprojnë me përgjegjësi".
