Bideni “s’i harron” rrënjët, kërkon nga Truss të zgjidhë mosmarrëveshjet Brexit - Irlandë e Veriut
Kalvari i daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian nuk ka fund. Presidenti amerikan Biden kërkon nga britanikët që të tregohen të kujdesshëm dhe të dakordësojnë një marrëveshje për Protokollin e Irlandës së veriut. Historia mes anglezëve dhe irlandezëve është e ndërlikuar dhe me ngjarje tragjike, ndaj amerikanët kërkojnë që të shkohet në marrëveshje për të ruajtur këto balanca.
Protokolli i Irlandës së veriut është kthyer në një mollë sherri në përplasjen mes Britanisë dhe Bashkimit Evropian.
Evropianët nuk lëshojnë pe nga e tyrja, ndërsa britanikët u ka mbetur në dorë procesi i daljes nga Evropa dhe duhet të negociojnë qindra marrëveshje jo vetëm me BE-në, por edhe me Irlandën aty pranë.
Ndërsa anglezët dolën nga Bashkimi Evropian, Irlanda e veriut nuk pranoi të dilte, ndaj edhe sot ka probleme teknike të shumta mes palëve që nuk e lënë të qetë Britaninë të shkëputet nga BE-ja.
Shtëpia e Bardhë ka shkruar për këtë rast duke thënë se Bideni kërkon nga Truss që ajo të punojë për të zgjidhur tensionet rreth marrëveshjeve tregtare pas Brexit në Irlandën e Veriut.
Londra ka tentuar më herët për ta anashkaluar Protokollin e Irlandës së Veriut, gjë që e ka tentuar ish-kryeministri Johnson, por ka qenë i menjëhershëm reagimi në bllok i evropianëve dhe irlandezëve.
Protokolli i Irlandës së Veriut është pjesë e marrëveshjes së Brexit. Ai parasheh se kamionët nuk përballen me pika kontrolli kur shkojnë nga Irlanda e Veriut në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Republikën Irlandeze.
Ndërkohë, në vend të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, kur mallrat mbërrijnë në Irlandën e Veriut nga pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar (Anglia, Skocia dhe Uellsi), ato kontrollohen kundër rregullave të BE-së.
Këshilltari për sigurinë kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan, u tha gazetarëve të martën se Presidenti Biden inkurajon Mbretërinë e Bashkuar dhe BE-në të arrijnë një dakordësim për të mbrojtur marrëveshjen e paqes me Irlandën e Veriut, e quajtur Marrëveshja e së Premtes së Mirë.
