Putin shpall mobilizimin e pjesshëm "për të mbrojtur atdheun": Perëndimit i përgjigjemi me armët që kemi

Të paktën 300 000 ushtarë do të jenë në gatishmëri ushtarake pas një urdhri të presidentit Putin i cili pretendon se Rusia kërcënohet nga Ukraina dhe aleatëve të saj perëndimorë.

Lideri rus Vladimir Putin iu adresua kombit të mërkurën në mëngjes përmes së cilit njoftoi një mobilizim të pjesshëm ushtarak pasi vendi përballet me një konflikt të zgjatur në Ukrainë.

Sipas liderit rus masa do të fillojë të zbatohet nga 21 shtatori dhe nënkupton thirrjen e rezervistëve ushtarakë në shërbim aktiv.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

"Masa është e arsyeshme dhe e nevojshme  në rrethanat në të cilat ndodhemi. Forcat e Armatosura do të përdorin vetëm rezervistët ushtarakë dhe ata që kanë kryer shërbimin kombëtar. Rezervistët do të kryejnë trajnime shtesë dhe do të marrin pagesat sipas urdhrit në fuqi," tha ai.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në kuadër të mobilizimit të pjesshëm do të thirren rreth 300 000 rezervistë.

Në fjalimin e tij, Putin akuzoi Ukrainën se po tërhiqej nga bisedimet e paqes, duke vepruar me urdhër të drejtpërdrejtë nga aleatët e tij perëndimorë.

E përsëris, po flasim vetëm për mobilizim të pjesshëm, pra do t'i nënshtrohen rekrutimit vetëm ata shtetas që janë në rezervë dhe mbi të gjitha ata që kanë shërbyer në forcat e armatosura, kanë specialitete të caktuara ushtarake dhe përvojë përkatëse," tha ai.

Në fjalimin e tij Putin deklaroi gjithashtu se Perëndimi ka shantazhuar Rusinë, por Rusia ka shumë armë me të cilat mund të përgjigjet.

“Qëllimi i Perëndimit është të na dobësojë dhe të na shkatërrojë, këtë e thonë hapur.

Nëse integriteti territorial i vendit tonë kërcënohet, për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë, ne do të përdorim të gjitha mjetet që kemi. Ky nuk është një bllof.

Integriteti territorial i atdheut tonë, pavarësia dhe liria jonë do të sigurohet, e përsëris me të gjitha mjetet që kemi.

Ata që përpiqen të na shantazhojnë me armë bërthamore duhet të dinë se erërat mbizotëruese mund të kthehen në drejtimin e tyre," tha ai.

"Në vend të negociatave, qeveria ukrainase ka forcuar ushtrinë e saj me trupa të trajnuara nga NATO, shumë prej të cilëve janë ekstremistë neo-nazistë."

Kreu i Kremlinit tha se qëllimet e operacionit special në Ukrainë nuk kanë ndryshuar, duke potencuar për çlirimin e rajonit të Donbasit.