Prokurori i Përgjithshëm i Nju Jorkut ngre padi për mashtrim kundër Trumpit dhe fëmijëve të tij
Prokurorja e Përgjithshme e shtetit të Nju Jorkut ngriti një padi të mërkurën kundër ish-presidentit Donald Trump, tre prej fëmijëve të tij dhe Organizatës Trump.
Prokurorja pretendon se ata ishin të përfshirë në një mashtrim të madh që zgjati mbi një dekadë dhe që ish-Presidenti e përdori për të pasuruar veten.
Në padinë prej më shumë se 200 faqesh, Prokurorja e Përgjithshme Letitia James, një demokrate, pretendon se mashtrimi preku të gjitha aspektet e biznesit Trump, duke përfshirë pronat e tij dhe fushat e golfit.
Sipas padisë, Organizata Trump mashtroi huadhënësit, siguruesit dhe autoritetet tatimore duke fryrë vlerën e pronave të tij duke përdorur vlerësime mashtruese.
“Këto akte mashtrimi dhe keqinterpretimi ishin të ngjashme në natyrë, u kryen nga menaxhmenti i lartë në Organizatën Trump si pjesë e një përpjekjeje të përbashkët për çdo deklaratë vjetore dhe u miratuan në nivelet më të larta të Organizatës Trump – duke përfshirë edhe vetë zotin Trump. ”, thuhet në padi.
Trump dhe fëmijët e tij, Donald Trump Jr., Eric Trump dhe Ivanka Trump, përmenden si të pandehur në padi.
Në pasi emërohen gjithashtu Allen Weisselberg , ish-CFO për Organizatën Trump, dhe Jeff McConney, një tjetër ekzekutiv prej kohësh i kompanisë.
Prokurorja tha se ajo beson se ligjet shtetërore dhe penale mund të jenë shkelur dhe ia referoi çështjen zyrës së avokatit amerikan për Distriktin Jugor të Nju Jorkut dhe Shërbimit të Ardhurave të Brendshme.
James po kërkon 250 milionë dollarë fonde të supozuara të marra në mënyrë të paligjshme dhe për të ndaluar përgjithmonë Trump dhe fëmijët e përmendur në padi të shërbejnë si drejtorë të një biznesi të regjistruar në shtetin e Nju Jorkut.
Ajo po kërkon gjithashtu të anulojë certifikatën e korporatës së Organizatës Trump, e cila, nëse jepet nga një gjykatës, mund ta detyrojë kompaninë të ndërpresë operacionet në shtetin e Nju Jorkut.
Trump më parë e quajti James një "prokurore renegate" për të cilën tha se ajo po drejton një "ekspeditë peshkimi hakmarrëse dhe egoiste".
Trump po përballet me hetime të shumta penale nga prokurorët federalë dhe shtetërorë që përfshijnë saktësinë e pasqyrave financiare të kompanisë së tij, ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe trajtimin e dokumenteve të klasifikuara pas largimit nga detyra.
