Ministrja e Mjedisit: Për të kursyer ujë dhe energji në dimër lahuni bashkë me partnerin në dush
Sezoni i ftohtë po afron dhe Zvicra e gjen veten absolutisht të papërgatitur për të përballuar vjeshtën dhe dimrin, për shkak të mungesës së madhe të energjisë elektrike.
Por mesa duket Zvicra ka gjetur një mënyrë efikase për të kursyer energji dhe ujë për të shmangur rritjet e faturave.
Ministrja e Mjedisit, socialistja 61-vjeçare Simonetta Sommaruga, në një intervistë për gazetën Tages Anzeiger të Zyrihut doli me propozimin që çiftet që bashkëjetojnë të bëjnë dush bashkë.
"E di gjithsesi se sa më të moshuar të jenë çiftet aq më shumë një sugjerim si ky mund të shkaktojë një lloj hutim" – tha Sommaruga.
Sommaruga nga an tjetër, duket se nuk e ka këtë problem pasi, pavarësisht se është e martuar me shkrimtarin Lukas Hartmann, ajo nuk e ndan shtëpinë me të.
Propozimi për një dush së bashku mund të gjendet edhe në faqen e Konfederatës ku sugjerohet gjithashtu që të zihet uji në një tenxhere, të mbulohet me kapak, për të shmangur humbjet e panevojshme të nxehtësisë.

