Konflikti Armeni-Azerbajxhan, Blinken ul në një tryezë ministrat e jashtëm
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken bën bashkë në një tryezë ministrat e jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit si një përpjekje për të ulur tensione mes dy vendeve pas luftimeve të ashpra gjatë javëve të fundit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se do të jenë ndërmjetëset e zgjidhjes së teksioneve mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua me ministrat e jashtëm të të dyja vendeve këtë të hënë në një përpjekje për të lehtësuar tensionet dhe për të forcuar një armëpushim të brishtë midis dy vendeve ish-sovjetike pas shpërthimit të luftimeve më të ashpra në më shumë se dy vjet.
Blinken bashkoi ministrin e Jashtëm armen Ararat Mirzoyan dhe ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit Jeyhun në prag të fillimit të takimit të përvitshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Vetëm Sekretari Blinken foli në fillim të takimit.
“Ne jemi të inkurajuar nga fakti që luftimet kanë pushuar dhe nuk ka patur një rifillim të bombardimeve, tha Blinken, i cili shtoi se “Ka një rrugë drejt paqes së qëndrueshme dhe zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve.”
Takimi u mbajt vetëm një ditë pasi Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi vizitoi Armeninë dhe dënoi sulmet e Azerbajxhanit, duke shkaktuar reagime nga zyrtarët në Baku.
Dy vendet e Kaukazit janë përfshirë në një konflikt dhjetëvjeçar rreth Nagorno-Karabakut, një rajon që ndodhet brenda Azerbajxhanit, por që ka qenë prej kohësh nën kontrollin e forcave armene të mbështetura nga Jerevani, që nga përfundimi i një lufte separatiste në vitin 1994.
Gjatë një lufte gjashtëjavore në vitin 2020, Azerbajxhani rimori pjesë të mëdha të Nagorno-Karabakut dhe territoreve ngjitur të kontrolluara nga forcat armene. Më shumë se 6700 njerëz vdiqën në ato luftime.
Armenia dhe Azerbajxhani kanë fajësuar njëri-tjetrin për fillimin e përleshjeve të javës së kaluar.
