OKB-ja mblidhet në New York/ Arsimi, lufta në Ukrainë dhe kriza ekonomike në fokus
Fillon këtë të martë mbledhja e përvitshme e OKB-së, ku të gjithë liderët do të marrin pjesë personalisht. Temat që pritet të marrin vëmendjen qëndrore janë lufta në Ukrainë dhe kriza ekonomike mbarëbotërore.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nis këtë të martë punimet për të adresuar disa prej problemeve më akute.
Krizat në botë sot janë të shumëfishta, nga uria në Afrikë, lufta në Lindjen e Mesme, kriza ekonomike dhe lufta në Ukrainë.
Pas dy vjetëve kufizimesh për shkak të pandemisë së koronavirusit, OKB-ja u ka kërkuar liderëve botërorë që të marrin pjesë fizikisht në mbledhjen në Nju Jork.
Tema qëndrore pritet të jetë lufta në Ukrainë. Presidenti Volodymyr Zelensky nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë.
Presidenti amerikan Joe Biden, i cili sipas traditës flet në ditën e parë të samitit, kësaj here do të marrë pjesë të mërkurën, për shkak se ndodhet në Britani për lamtumirën e mbretëreshës Elizabet.
Në ditën e parë do të mbajnë fjalime presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz – liderët e dy ekonomive më të mëdha në Bashkimin Evropian.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres ka bërë apel që ndër prioritetet që duhet të diskutohet është edhe edukimi.
“Edukimi është në krizë të thellë. Në vend që të rrisë mundësitë, edukimi është duke u bërë arsye për ndasi të mëdha”, ka thënë Guterres.
Në një raport të publikuar më herët nga OKB-ja, pandemia e koronavirusit ka kthyer mbrapa përparimin njerëzor për pesë vjet, duke ndikuar në arsim, ekonomi dhe shumë aspekte të tjera.
