Kina i përgjigjet Biden me zemërim, vendi proteston ndaj deklaratave të presidentit të Amerikës

Kina ka dënuar gatishmërinë e Amerikës për të hyrë në luftë me ushtrinë kineze nëse Pekini sulmon Tajvanin. Vërejtjet e shtetit komunist vijnë pas deklaratës së paprecedentë të presidentit Joe Biden.

Kina ka ashpërsuar gjuhën ndaj Uashingtonit pas deklaratave të presidentit Biden për çështjen e Tajvanit mbrëmjen e së dielës në një intervistë.

Përmes zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme, Pekini ka protestuar ndaj deklaratave të Biden.

"Deklaratat e palës amerikane shkelin në mënyrë të rëndë parimin e "Një Kine" dhe dispozitat e tre komunikatave të përbashkëta Kinë-SHBA, shkelin seriozisht angazhimin e rëndësishëm të SHBA-së për të mos mbështetur pavarësinë e Tajvanit dhe dërgojnë një sinjal të rremë për forcat separatiste pro-pavarësisë në ishull," tha ai.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Më herët presidenti në një intervistë për medien CBS tha se SHBA-të do ta mbrojnë Tajvanin nëse Pekini përpiqet ta sulmojë kombin ishullor.

"Nëse do të ketë një sulm të paprecedentë ndaj Tajvanit, SHBA do të ndërhyjë," tha Biden.

Megjithatë presidenti tha se Uashingtoni nuk inkurajon pavarësinë e kombit ishullor të cilin e njeh si pjesë të Kinës.

Situata rreth Tajvanit u përshkallëzua në gusht pasi kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, vizitoi Taipein duke shënuar vizitën më të lartë të një zyrtari amerikan.

Si përgjigje, Pekini nisi stërvitjet ushtarake në shkallë të gjerë në brigjet e ishullit dhe ndërmori sanksione ndaj zonjës Pelosi.

Kina nuk e njeh sovranitetin e Tajvanit të cilën e konsideron atë provincë të vetën edhe pse kombi ishullor është vetëqeverisur prej rreth 70 vitesh.