Po i çonin në karantinë me autobus, 27 të vdekur. Aksidenti ngjall zemërim kundër politikave zero -kovid në Kinë

Një autobus që transportonte njerëz të infektuar me Covid -19 në një strukturë karantine në Kinë është përplasur duke shkaktuar vdekjen e 27 personave.

Autobusi u përmbys në një autostradë në provincën jugperëndimore të Guizhou.  

20 persona të tjerë mbetën të plagosur.

Aksidenti ngjalli zemërim në internet nga ata që kritikojnë politikën "zero-Covid" të Pekinit.

Politika strikte përfshin testimin dhe ata që rezultojnë pozitivë dhe kontaktet e tyre të ngushta duhet të izolohen në shtëpi ose në një strukturë karantine.

Nuk ka asnjë informacion për shkakun e përplasjes që ndodhi herët në mëngjesin e së dielës.

Sipas rregulloreve kineze, autobusët e pasagjerëve nuk lejohen të lëvizin në autostradë nga ora 02:00 deri në 05:00. Megjithatë, aksidenti ndodhi në orën 02:40 me orën lokale të hënën (18:40 GMT të dielën) pasi autobusi u nis pak pas mesnate, duke treguar se autobusi kishte shkelur rregulloren.

Një grua e cila ishte vajza e njërës prej viktimave shkroi në rrjetet sociale se "nuk mund ta pranonte" vdekjen e nënës së saj.

"Mamaja ime qëndroi në shtëpi për gjysmë muaji. Ajo nuk shkoi askund përveçse doli për teste PCR... por papritmas u dërgua në karantinë dhe vdiq," shkroi ajo.

Online disa përshkruan përvojat e tyre të pakëndshme të transportimit me autobus në godinat e karantinës.

Incidenti vjen në prag të kongresit pesë-vjeçar të Partisë Komuniste në tetor, ku do të diskutohet rreth politikës së vendit për Covid.

Në Pekin, më shumë se 21 milionë banorë u kërkohet të qëndrojnë në radhë për testet PCR çdo tre ditë për të hyrë në vende të izoluara.