Konflikt tjetër në Azinë Qendrore / Kirgistani dhe Taxhikistani “luftë” për kufirin, 100 të vdekur
Të dielën një konflikt për vijën kufitare mes Taxhikistanit dhe Kirgistanit la 100 të vdekur mes palëve. Situata është e tensionuar dhe mosmarrëveshjet për kufirin janë të vjetra. Rusët kanë ndërhyrë menjëherë duke kërkuar armëpushim mes dy ish-republikave sovjetike. Në të njëjtën valë kanë qënë edhe amerikanët.
Rusët dhe amerikanët janë në një valë sa i përket uljes së gjakrave në konfliktin mes dy republikave në Azinë Qëndrore, Kirgistanit dhe Taxhikistanit.
Konflikti në kufi mes dy vendeve përshkallëzoi të dielën në përdorimin e armëve, ku mbetën të vrarë rreth 100 vetë.
Ka reaguar menjëherë aleati i të dy vendeve, Rusia, duke kërkuar ulje të gjakrave dhe armëpushim mes dy vendeve.
Ish republikat sovjetike përshkallëzuan konfliktin në përdorim armësh për shkak të një mosmarrëveshjeje kufitare. Dy republikat aziatikoqendrore akuzojnë njëra – tjetrën për përdorimin e tankeve, mortajave, artilerisë me raketa dhe dronëve sulmues për të sulmuar vendbanimet kufitare.
Koflikti mes dy vendeve është i hershëm dhe të dyja vendet kundërshtojnë përcaktimin kufitar mes tyre. Ka pasur përplasje me armë edhe më herët, e fundit në prill të viti 2021, ku mbetën mbi 50 të vdekur.
Ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare sqarojnë se çështjet kufitare mes ish-republikave sovjetike rrjedhin kryesisht nga epoka komuniste, kur Moska u përpoq të ndërtonte hapësira shtetërore për grupe të ndryshme etinike në rajon.
Presidenti rus Vladimir Putin foli me telefon me homologët repsektivë duke kërkuar armëpushim, njoftoi të dielën Kremlini. Putin u kërkoi palëve të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm dhe të marrin masa për të zgjidhur situatën me mjete paqësore, politike dhe diplomatike sa më shpejt të jetë e mundur.
Edhe amerikanët kanë pasur të njëjtin reagim, duke u druajtur për një përshkallëzim më të gjerë të luftës, dhe kanë inkurajuar palët që ta zgjidhin situatën me mjete politike dhe diplomatike.
