As shkrim as lexim, braktisja e shkollës nga fëmijët rom në Gjirokastër, në masën 90%
Braktisja e shkollave është një fenomen masiv i viteve të fundit. Kryesisht fëmijët e komuniteteve rome dhe egjiptiane e lënë shkollën për shkak të kushteve shumë të vështira në të cilat jetojnë. Vetëm 10% e tyre arsimohen, pasi detyrohen të mbledhin hekura për të siguruar para.
Këta fëmijë të komunitetit rom në Gjirokastër e kanë lënë shkollën për të mbledhur kanoçe e hekura që i shesin në treg.
Disa për shkak se i kanë bullizuar në institucionet e arsimit, e disa se mësuesit nuk i kanë përkrahur.
Të tjerë thonë se duhet të ndihmojnë familjen pasi nuk kanë të ardhura.
“Unë isha klasë e tretë, por nuk e kam mësuar mirë shkrimin. Punojmë me hekura.”
Edhe pse duhet të ishin në klasë të 6, i kanë parë bangat e shkollës për shumë pak kohë dhe kaq ka mjaftuar që të ëndërrojnë se një ditë do të rikthehen.
“Vajta me kryeplakun dhe të regjistrohem në shkollë.”
Nëndrejtori i shkollës shprehet se angazhimi i pushtetit vendor është e vetmja mënyrë për tu dhënë mundësinë këtyre fëmijëve të gjejnë rrugën e librit.
“Zgjidhje nuk mund të kenë vetëm nga mësuesi dhe drejtori, por nga të gjithë që ata të kthehen në shkollë.”
Raportet shprehen se në Gjirokastër vetëm 10% e fëmijëve romë e egjiptianë shkojnë në shkollë. 90% nuk dinë as shkrim e as lexim. Kushtet e vështira të tyre i detyrojnë ti futen punës në moshë shumë të hershme.
