"3 vjet burg në Zvicër për energjinë, e pavërtetë", Rama pranon keqkuptimin: Kërkoj ndjesë

Në komunikimin online për gazetarët kryeministri Rama foli dhe për keqkuptimin që ishte bërë mbi deklaratën se në Zvicër bëje 3 vite burg nëse gradoje kondicionerin mbi 19 gradë.

Ambasada zviceriane e mohoi një gjë të tillë, ndërsa kryeministri tha se ai mund të kishte rënë pre e informacioneve të rreme e jo të sakta.

"Nuk e kam dëgjuar këtë keqkuptim por nuk ka rëndësi. Mbase mund të jetë një shembull që vjen si rezultat i një keqkuptimi, mbase kam rënë dhe unë viktimë e një informacioni jo të plotë dhe të saktë, kërkoj ndjesë.

Jemi në një kohë të tillë, por kjo nuk do të thotë aspak që bota nuk është e mbushur me masa të tilla shtrënguese.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Është plot e përplot me masa të tilla shtrënguese. Unë do ta verifikoj dhe do ta marr vesh saktësisht se si qëndron rasti por mund të shkoni të shikoni Gjermaninë, mund të shkoni të shikoni Zvicrën, mund të shkoni të shikoni Britaninë e Madhe.

Mund të shikoni si vende të zhvilluara që nuk iu shkon mendja po paraqesin para popujve të tyre planet e shkurtimeve të energjisë, të kufizimeve të furnizimit me energji, gjë që ne nuk kemi dëshirë ta bëjmë dhe nuk kemi në plan për ta bërë.

Mund të na vijë nevoja, do ta ndajmë me ju por sot për sot nuk kemi në sirtar ndonjë plan që të dalim e t’iu themi “Kaq orë do shkurtohen,” tha ai.

Në një fushatë ndërgjegjësimi mbi kursimin e energjisë elektrike, ministrja Balluku deklaroi se Zvicra do të dënonte me burg të gjithë ata që do ta gradonin kondicionerin në dimër mbi 19 gradë. Edhe kryeministri Rama në konferencës e prezantimit të paketës antikrizë iu referua të njëjtit informacion.

“Sot lexova që Zvicra ka vendosur penalitetin e tre viteve burg për ata që ngrohin më shumë se 19 gradë shtëpinë e tyre, ashtu sikundër kemi parë që Gjermania ka paraqitur planin për fikjen e dritave në të gjitha rrugët, në të gjitha vitrinat, në të gjitha bizneset pas orës 10 të darkës," tha ai.

Megjithatë një gjë e tillë u hodh poshtë nga ambasada zviceriane në Tiranë, duke deklaruar se një gjë e tillë ishte e pavërtetë e me shumë mundësi një keqkuptim.

"Një artikull në gazetën Blick është keqkuptuar ose riprodhuar gabimisht nga anëtarë të caktuar të publikut. Aktualisht në Zvicër nuk ka mungesë të energjisë elektrike apo gazit natyror.

Prandaj nuk ka në fuqi kufizime apo ndalime për përdorimin e energjisë që mund të shkelen," shkroi ambasada.