Karteli i Sinaloas me lidhje në Shqipëri? Rama: U kam lënë Zotin atyre që ndërtojnë të tilla fabula. Ju qofshi
Kryeministri Edi Rama reagoi dhe lidhur me lajmin e publikuar nga mediat meksikane të lidhjes së kartelit Sinaloas me Shqipërinë. Në konferencë për median Rama tha se nuk njihte ndonjë kartel dhe foli për njerëz të cilët inskenojnë sulme shkatërruse. Për këta tha ua ka lënë zotin.
Pyetje: Dy ditë më parë, në mediat meksikane është publikuar një lajm ku thuhet se karteli i Sinaloas ka lidhje të ngushta me Shqipërisë, konkretisht me vëllezërit Hysa, njëri prej të cilëve në mediat shqiptare ditën e djeshme është publikuar një fotografi e dy viteve më parë në zyrën tuaj. Cila është marrëdhënia me Luftar Hysën, marrëdhënia juaj dhe si i komentoni akuzat e medias meksikane mbi pastrimin e parave të kartelit të Sinaloas në Shqipëri?
Kryeministri Edi Rama: E para punës, unë nuk mendoj se ka ndonjë dallim të madh midis medias në fjalë, meksikane dhe medias tuaj, për shembull. Unë mendoj që është e njejta gjë, që do të thotë që mund të thuhen të vërteta,por mund të thuhen dhe gënjeshtra.
Mbi të gjitha, unë e konsideroj të neveritshme që me një copë letër që del diku, me një artikull që del diku, kudo qoftë, merret një familje e tërë shqiptare dhe kryqëzohet këtu nga mëngjesi në darkë pa e pyetur fare “Ore kush jeni, me çfarë merreni” dhe pastaj lidhet njeriu më i kërkuar në botë, pasuria e të cilit thuhet se është më e madhe se GDP e Gjermanisë me një hotel me më pak se 100 dhoma në Vlorë dhe një nga kartelet më të mëdha të botës i pastroka paratë në Shqipëri.
Nuk e di si bëhet këto pa asnjë kërkim, pa asnjë verifikim, thjeshtë kap shqiptarë, kap amerikanë, kap emra, përplasi pas muri, ngriji e uli trafikantë, ngriji e uli kriminelë, ngriji e uli të të gjitha të zezave, ju qofshi dhe Zoti ju pastë nën kujdes të gjithëve ju që merreni me këtë sport.
Është realisht e dhimbshme dhe është realisht e neveritshme, por unë jam krejt i pafuqishëm për të bërë çfarëdo gjëje tjetër përveçse për ta vënë fuqinë time në dispozicion të vërtetave dhe fakteve.
Unë nuk njoh ndonjë kartel, unë nuk kam asnjë lidhje me ndonjë aktivitet ilegal, unë nuk jetoj për të ngrënë më shumë dhe për të jashtënxjerrë sa më shumë. Unë jetoj për ca arsye të tjera që nuk ka mbase asnjë mundësi që tjua shpjegoj. Iu kam lënë Zotin të gjithë atyre që ndërtojnë të tilla fabula, jo vetëm për veten time, jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që përfshihen në këto vrulle të paimagjinueshme sulmesh dhe goditjesh që shkatërrojnë familje, shkatërrojnë jetë njerëzish, shkatërrojnë nerva, shkatërrojnë fëmijë dhe gjithçka.
Ju qofshi, nuk di çfarë të them. Doli një artikull atje dhe mbushet gjithë rrjeti ikanaleve të vatanit këtu me një llumhane që nuk di si bëhet për ta frenuar. Është e tmerrshme.

