Rrumbullaku siguron ambasadorin gjerman: Po vendosim një standard të ri në polici

Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku priti sot në një takim kortezie, ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf.

Sipas komunikatës së policisë, në fokus të takimit ishin prezantimi dhe njohja e ambasadorit me prioritetet, objektivat dhe vizionin që Drejtori të ri të Policisë së Shtetit.

Nga ana e tij, Rrumbullaku tha se ai është vendosur për ta ndryshuar vizionin dhe metodologjinë e punës së strukturave policore, me qëllim vendosjen e një standardi të ri në raport me qytetarët,

Rrumbullaku: Ju siguroj, zoti ambasador, se jam i vendosur për ta ndryshuar vizionin dhe metodologjinë e punës së strukturave policore, me qëllim vendosjen e një standardi të ri në raport me qytetarët, me partnerët dhe në luftën ndaj krimit të organizuar. Po krijojmë mekanizma të menaxhimit të burimeve njerëzore, me qëllim eliminimin e abuzivitetit dhe arbitraritetit, për t’i dhënë strukturave policore mundësinë e drejtimit nga njerëz profesionistë dhe të ndershëm, çka do të sjellë ndryshimin e impaktit në publik, sepse jam i bindur se perceptimet dhe impaktet ndryshohen me punë e rezultate dhe jo me emra.

Forcimi i marrëdhënieve me partnerët, konkretisht me BKA-në dhe Policinë Federale të Gjermanisë do të thellohet akoma më shumë, duke pasur në themel besimin reciprok, profesionalizmin dhe përkushtimin për të luftuar pa kompromis fenomenet kriminale që janë kërcënim global.