Amnistia për ndërtimet pa leje, PD: Shteti bëhet bashkëpronar me kriminelin me marrëveshje miqësore

Me denoncimin se shteti dërgon në burg familjarët e varfër edhe kur ndërtojnë një kotec për pulat, por nuk ndërhyn për ndërtuesit, PD e ka konsideruar si legalizim vendimin e fundit të qeverisë.

Ledina Mandia shprehet se vendimi që detyron ndërtuesit të blejnë katet shtesë që kanë bërë pa leje, ose t'ia falin shtetit është shkelje e hapur e ligjit.

Mandia: Qeveria sot shpronëson dhe shpërblen pronarët e ligjshëm me çmim reference, të cilat goditen në rrugë gjyqësore, dhe nuk e njeh çmimin e tregut. Por në rastin e mafias së ndërtimit, të cilën tashmë e bën bashkëpronare, u jep të drejtë parablerje me çmim reference, duke shpronësuar shqiptarët e thjeshtë, dhe duke lejuar blerësit preferencial të RAMËS ta shesin këtë pronë me vlerën e tregut imobiliar.

Mandia shprehet se ndërtuesit negociojnë me qeverinë për ndryshimin e lejes.

Mandia: Referuar pikës 3 të VKM, ndërtuesi i paligjshëm po negocion me qeverinë të ndryshojë Lejen e Ndërtimit dhe të ligjërojë në vijim ndërtimin pa leje. Pra, shteti bëhet bashkëpronar me kriminelin, përmes një marrëveshje miqësore.

Mandia kërkoi ndërhyrjen e SPAK për të hetuar ata që kanë bërë kate shtesë mbi lejen e ndërtimit si dhe strukturat e shtetit që i kanë lejuar.