Paratë para votës, qeveria maqedonase: Mbajtja e referendumit na kushton 8 milionë euro
Referendumi i opozitës maqedonase për anulimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë për qeverinë e Dimitar Kovaçevskit është shpenzim parash në kohë krize, ndërsa dimri po afrohet.
Zëvendësministri për Çështjet Evropiane, Bojan Mariçiç pretendon se organizimi i referendumit është tepër i kushtueshëm për Buxhetin e Shtetit në rrethanat aktuale.
"Nuk mendoj se në këtë moment duhet referendum, pasi organizimi i tij kushton tetë milionë euro të cilat janë të tepërta në kushtet kur jemi përpara dimrit ndërsa po luftojmë që të kemi furnizim të rregullt të energjisë," tha ai.
Mirëpo për opozitën referendumi është e vetmja rrugëdalje nga marrëveshja me Sofjen të cilën ata e quajnë të dëmshme.
Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi nga radhët e BDI-së e rrëzoi nismën opozitare për mbajtjen e referendumit për të cilën tha se është anti-kushtetuese.
VMRO-DPMNE e udhëhequr nga Hristjan Mickoski i qëndrojnë idesë së tyre për të mos votuar ndryshimet kushtetuese dhe e quajnë vendimin e Xhaferit si arbitrar.
Ndryshimet kushtetuese duhet të përmbyllen brenda nëntorit të vitit të ardhshëm dhe ato kërkojnë të paktën 2/3 e votave të parlamentit të cilat qeveria nuk i ka.