Turqit kërcënojnë grekët, Erdogan: Mos provokoni se ndonjë mbrëmje do na shihni aty
Presidenti turk ka kërcënuar drejtëpërdrejtë Greqinë duke thënë se nëse e çon situatën aty ku nuk mban, ndonjë mbrëmje do t’i shohin të shkojnë atje. Kjo deklaratë e fortë e Erdoganit vjen pas një sërë përplasjesh mes palëve. Ndërkohë, në krahun tjetër, Greqia akuzon gjithashtu Turqinë për provokim. Palët kanë përplasje për kufijtë ajëror, tokësor, detar dhe për Qipron.
Fqinjët në NATO, Turqia dhe Greqia, kanë një histori të mbushur me inate të forta me njëri-tjetrin.
Retorika e përdorur nga të dy, ndonjëherë është aq e nxehtë sa kërkohet ndërhyrje nga superfuqitë që të ulen gjakrat.
Së fundmi, këtë të shtunë ka qenë presidenti turk Erdogan që ka kërcënuar grekët.
"Ne kemi vetëm një fjalë për t'i thënë Greqisë: Mos harroni Izmirin," tha Erdogan, duke iu referuar hyrjes së turqve në bregdetin e Egjeut në 1922-shin."
"Kur të vijë koha, ne do të bëjmë atë që është e nevojshme. Mund të vijmë papritur ndonjë natë", tha shefi i ekzekutivit turk.
Deti Egje ka një gjeografi shumë komplekse, me mbi 2000 ishuj, ku shumica i përkasin Greqisë.
Por sipas Turqisë, Greqia është duke ndërtuar baza ushtarake në këto ishuj, veprim i cili cënon sigurinë kombëtare turke.
Athina ndërkohë i hedh poshtë akuzat e turqve. Ajo thotë se Turqia është provokatorja e tensioneve në Mesdhe.
Greqia dhe Turqia janë partnerë në NATO por kanë shumë çështje të pazgjidhura mes tyre, siç është Qipro, hapësirat ajërore dhe ato detare.
Palët kanë treguar dhëmbët shpeshherë në cilësinë e fuqisë ajërore apo detare, ndërsa të dy kërkojnë të kenë armatim sa më të sofistikuar në arselin ushtarak.
