OKB e akuzoi për krime kundër njerëzimit, Kina i përgjigjet ashpër: Gënjeshtra të Perëndimit

Kina është përgjigjur me zemërim ndaj një raporti të Kombeve të Bashkuara, në të cilin përmenden dyshimet për abuzime me të drejta të njeriut në rajonin e Ksinjiangut, me popullsi ujgure dhe minoritete tjera myslimane.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut ka thënë se hetimi njëvjeçar ka gjetur se shumica e grupeve myslimane janë subjekte të internimeve masive, punës së detyrueshme, abuzimeve seksuale dhe torturës.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Raportimi është publikuar pavarësisht përpjekjeve kineze për ta vonuar apo bllokuar atë.

Kina e ka mohuar gjithmonë se shënjestron ujgurët dhe të tjerët mbi baza të fesë dhe kulturës, andaj akuzat i ka konsideruar gënjeshtra të Perëndimit.

Sipas saj, kampet kanë pasur qëllim luftimin e separatizmit, terrorizmit dhe ekstremizmit fetar, dhe se pjesëmarrja në kampe ka qenë vullnetare.

Megjithatë, dokumentet e brendshme kineze, që kanë qarkulluar nëpër media, e kanë vërtetuar të kundërtën.

Për të vërtetuar pretendimet e veta, autoritetet kineze kanë përmendur vizitat e realizuara nga gazetarët dhe diplomatët në këtë rajon.

Gjetjet e raportit mund të vërtetojnë pretendimet që mbi 1 milion anëtarë të minoritetit ujgur janë duke u dërguar me dhunë nëpër qendra që pretendohet se janë krijuar për qëllime trajnimi.

Personat që janë mbajtur aty, familjarët e tyre dhe grupet vëzhguese, i përshkruajnë këto qendra si të stilit të burgjeve, pasi të ndaluarve aty u kërkohet të kritikojnë Islamin dhe kulturën e tyre tradicionale, si dhe u kërkohet të betohen për besnikëri ndaj Partisë Komuniste.

Këto kampe janë pjesë e një fushate të gjerë të shtypjes në Ksinjiang, që përfshin sterilizime të dhunshme të grave, punë të detyrueshme, shkatërrim të xhamive dhe objekteve tjera fetare, ndarjen e fëmijëve myslimanë nga familjet e tyre, si dhe ngacmimet ndaj anëtarëve të familjes që jetojnë jashtë shtetit.