Trazirat e 6 janarit në Washington, dënohet me 10 vjet burg oficeri i dalë në pension

Një oficer në pension i Departamentit të Policisë së Nju Jorkut është dënuar me 10 vjet burg për sulmin ndaj një oficeri me shtizë flamuri gjatë sulmit të vitit të kaluar në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara.

Ky është dënimi më i gjatë i dhënë deri më tani në lidhje me trazirat e 6 janarit.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Thomas Webster, një veteran 20-vjeçar i NYPD, u dënua të enjten pasi u shpall fajtor në maj për sulmin ndaj një oficeri policie në Uashington DC gjatë trazirave.

Gjykatësi i rrethit amerikan Amit Mehta e dënoi 56-vjeçarin me 10 vjet burg plus tre vjet lirim të mbikëqyrur, por e lejoi Webster-in të paraqitej në burg në një datë që do të përcaktohej në vend që ta urdhëronte menjëherë paraburgimin.

“Zoti Webster, nuk mendoj se jeni person i keq”, tha gjykatësi të enjten. “Mendoj se u kapët në një moment. Por siç e dini, edhe kapja në një moment ka pasoja.”

Rreth 250 persona janë dënuar për pjesëmarrje në trazirat në Kapitol, ku një turmë mbështetësish të ish-presidentit Donald Trump sulmuan ndërtesën në një përpjekje për të penguar Kongresin që të certifikonte fitoren e zgjedhjeve të Joe Biden në vitin 2020.