Humbën shtëpitë për shkak të përmbytjeve, gjysmë milion njerëz evakuohen në Pakistan

Gati gjysmë milion njerëz u grumbulluan në kampe pasi humbën shtëpitë e tyre nga përmbytjet në Pakistan.

Pakistani  është nën një  krizë klimatike pasi shirat e paprecedentë të musonit shkatërruan vendin që nga mesi i qershorit, duke vrarë më shumë se 1130 njerëz.

Në një nga incidentet më të rënda të përmbytjeve, ku të paktën 11 njerëz u vranë ishte të hënën kur një varkë që shpëtuesit vullnetarë po përdornin për të evakuuar njerëz u përmbys.

Ministrja e klimës Sherry Rehman dhe meteorologët i thanë Associated Press se musonet e reja priten në shtator.

Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive tha se përmbytjet këtë verë kanë vrarë më shumë se 1,136 njerëz dhe kanë plagosur 1,636, si dhe kanë dëmtuar 1 milion shtëpi.

Të paktën 6,500 ushtarë u angazhuan për të ndihmuar njerëzit dhe autoritetet thanë se po përdornin aeroplanë ushtarakë, helikopterë, kamionë dhe varka për të evakuuar personat që kishin mbetur  të izoluar dhe për të dërguar ndihma për ta.

Javën e kaluar, Kombet e Bashkuara në një deklaratë thanë se kanë dhënë 3 milionë dollarë për agjencitë e ndihmës së OKB-së dhe partnerët e tyre në Pakistan për t'iu përgjigjur përmbytjeve. Këto para do të përdoren për shëndetin, ushqimin, sigurinë ushqimore dhe shërbimet e ujit dhe kanalizimeve në zonat e prekura nga përmbytjet, duke u fokusuar në më të rrezikuarit.