Rrahja e vajzave në jetimore, autoritetet saudite hapin një hetim për ngjarjen

Autoritetet saudite thonë se kanë hapur një hetim pasi videot e postuara në internet duket se tregojnë forcat e sigurisë duke rrahur vajzat adoleshente në një jetimore.

Në pamjet e pa verifikuara, policia dhe zyrtarët me rroba civile duket se po bastisin Shtëpinë e Edukimit Social në Khamis Mushait.

Një zyrtar duket se ka rrëzuar përtokë një vajzë që bërtet, ndërsa një polic e godet me rrip. Vajzat e tjera shfaqen duke u ndjekur dhe rrahur me shkopinj druri.

Rrethanat dhe koha e incidentit nuk ishin të qarta, por një përdoruese e Twitter-it pretendoi se ajo i modifikoi videot dhe shkroi se vajzat kishin organizuar një "grevë kundër korrupsionit dhe padrejtësisë" pasi ato kërkuan të drejtat e tyre nga jetimorja.

Më vonë ajo postoi fotografi që tregonin mavijosje te disa nga vajzat gjatë bastisjes dhe pretendoi se një zyrtar i lartë i kishte kërcënuar nëse videot nuk hiqeshin nga mediat sociale.

Aktivistët e të drejtave të njeriut shprehën indinjatën ndaj pamjeve pasi u shfaqën të martën mbrëma, ndërsa hashtag-u "Khamis_Mushait_Orphans" filloi të shfaqet në Twitter në Arabinë Saudite.

Grupi i të drejtave ALQST me bazë në Mbretërinë e Bashkuar tha se pamjet ishin "shqetësuese" dhe se autoritetet saudite "duhet të mbajnë përgjegjës autorët".

Incidenti vjen në një kohë të rritjes së shqetësimit ndërkombëtar për të drejtat e grave në Arabinë Saudite, ku vitet e fundit qeveria ka hequr ndalimin e ngarjes së makina nga gratë, ndërsa ka burgosur gjithashtu aktiviste të njohura femra.