Rusia nis stërvitjen ushtarake me Kinën dhe Indinë

Rusia ka nisur stërvitjet e mëdha ushtarake në lindje të vendit. Në këto stërvitje po marrin pjesë edhe forca nga Kina dhe pjesëmarrja e tyre po shihet si rritje e lidhjeve në aspektin e mbrojtjes midis Pekinit dhe Moskës, në mes të tensioneve me Perëndimin lidhur me luftën në Ukrainë.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Stërvitjet Vostok 2022 po mbahen në disa lokacione në Lindjen e Largët të Rusisë dhe në Detin e Japonisë dhe po marrin pjesë mbi 55.000 trupa, mbi 5.000 njësi armësh, përfshirë 140 avionë dhe 60 luftanije, tha Ministria ruse e Mbrojtjes.

Stërvitjet do të përfundojnë më 7 shtator.

Në këto stërvitje po ashtu janë përfshirë edhe trupat nga India, Laosi, Mongolia, Nikaragua, Siria dhe të disa shteteve ish-sovjetike.

India vazhdon të shprehë qëndrim neutral sa i përket luftës së Rusisë ndaj Ukrainës dhe ka argumentuar se mban raporte të mira edhe me Perëndimin, edhe me Moskën.

Kina ka refuzuar që ta kritikojë luftën e Rusisë në Ukrainë dhe ka fajësuar Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n për provokim të Moskës. Pekini po ashtu ka dënuar sanksionet perëndimore të vendosura ndaj Moskës.

Rusia, në anën tjetër, mbështet fuqishëm Kinën në mes të tensioneve në rritje me SHBA-në, pas vizitës në Tajvan të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Presidenti rus, Vladimir Putin, së fundmi ka tërhequr paralele midis mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën dhe vizitës së Pelosit në Tajvan. Ai tha se këto dy gjëra ishin pjesë e përpjekjeve amerikane për të krijuar jostabilitet në botë, citon REL.