Vdekjet e dyshimta të oligarkëve rusë

Një tjetër oligark është vetëvrarë në Rusi. Njeriu i dytë më i rëndësishëm në vend në fushën e energjitikës është hedhur nga kati i gjashtë i një spitali në Moskë. Vetëvrasjet e dyshimta të oligarkëve kanë zgjuar vëmendje të madhe të teorive konspirative në Perëndim dhe mes rusëve.

Nisja e luftës në Ukrainë ka sjellë edhe një serë ngjarjesh të çuditshme në Rusi, që kanë gjeneruar edhe teori konspirative pas tyre.

Njerëz të fuqishëm në ekonominë vendase janë duke vdekur në rrethana krejt të dyshimta.

Së fundmi ka qenë shefi i kompanisë së dytë më të madhe energjitike në rusi që është hedhur nga dritarja e spitalit.

Zërat kritikë ndaj luftës në Ukrainë, në Rusi, janë të paktë. Mediet ndërkombëtare shkruajnë se Ravil Maganov, kryetari i Lukoil, u hodh nga kati i gjashtë i një spitali në Moskë. Ai njihej edhe si kritik i ndërhyrjes ruse në Ukrainë.

Kompania doli në një deklaratë për shtyp për rastin dhe tha se oligarku rus vuante nga një sëmundje e rëndë.

Këtë vit ka pasur edhe figura të tjera të profilit të lartë që janë ndarë nga jeta në rrethana të dyshimta. Alexander Subbotin, ish-menaxheri i Lukoil, vdiq në fillim të majit dhe u tha se ishte helmuar.

Dy drejtues të lartë të Gazpromit u gjetën të vdekur gjithashtu në fillim të vitit. Dyshohet se të dy u vetëvranë.