Emigracioni/Lufta elektorale mes të djathtës e të majtës, Salvini vizitë "blic" në Lampedusa 'për të treguar realitetin'

Emigracioni i paligjshëm, fluksi në rritje i emigrantëve që mbërrijnë përmes detit, është kthyer në qëndër të debatit publik e mediatik, e është tema thelbësore me të cilat forcat politike italiane masin forcat në këtë prag zgjedhjesh.

E majta prej vitesh shfaqet me qasje miqësore ndaj fenomenit të emigracionit, ndërsa nga ana tjetër e djathta kërkon një emigracion të kontrolluar dhe akuzon kundërshtarët politikë se ç'ka ka bërë e thënë gjatë qeverisjes së shkuar, është vetëm një cështje propagande e përdorim i emigrantëve për votën e tyre. 

Janë me dhjetra mijëra emigrantë që kanë marrë nënshtetësinë italiane e që kanë të drejtë vote në zgjedhjet e 25 shtatorit, mes të cilëve me mijëra emigrantë shqiptarë, si një nga komunitetet më historike të pranishme në territorin italian.

Emigracioni  është një nga pikat kyçe të axhendës elektorale të Partisë Lidhja në fushatën elektorale të zgjedhjeve të 25 shtatorit.

Lideri i kësaj force politike ka zhvilluar një vizitë surprizë në qendrën hotspot të emigrantëve në Lampeduza.

"Çfarë po shoh është një skenë e padenjë për një vend të qytetëruar", u shpreh Salvini para gazetarëve.

"Emigrantë që kanë të drejtë të mikpriten i shoh të hedhur për tokë, të shtrirë në mes të rrugës me fëmijë. E kush nuk ka të drejtë shkon e vjen për të disatën herë në Itali e lejohet të hyjë. Emigracioni klandestin është kthyer në biznes miliarderësh."

Në qëndrën e Lampeduzës sipas normativës në fuqi duhet të mikpriten rreth 340 refugjatë por në këto orë e ditë të fundit, shënon mbi 1300 azilkërkues.

"Emigracioni, u shpreh Salvini që në të shkuarën ka mbuluar dhe rolin e Ministrit të Brendshëm, është një problematikë që mund të kontrollohet siç e ka dëshmuar puna e kryer nga institucioni që unë drejtoja, mjafton të zbatosh udhëzimet e sigurisë. Ndërsa forca të tjera politike të së majtës e premtojnë prej 20 vitesh e nuk kanë bërë asgjë."

Vetëm gjatë natës së shkuar janë rreth 15 mjete lundruese me emigrantë klandestinë që kanë zbarkuar në brigjet e Lampeduzës.

"Kjo gjendje që shoh sot në Lampeduza nuk është mikpritje, nuk është solidaritet me gjithë përkushtimin e punën e forcave të rendit, vullnetarëve, aktivistëve, por është dicka e padenjë për një vend të qytetëruar."

Gjatë vizitës së tij lideri i Lidhjes dëshmoi personalisht përmes videove e fotografive emigrantë, familje emigrantësh, fëmijë e të moshuar të shtrirë në rrugë e të mbuluar me letra për t'u mbrojtura nga dielli e temperaturat e larta të këtyre ditëve në jug të Italisë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme italiane nga 1 janari 2022 e deri më sot 1 gusht 2022 në Itali kanë hyrë mbi 57 mijë emigrantë klandestinë përmes rrugës detare e gati 20 mijë më shumë se e njëjta periudhë kohore e një viti më parë e rreth 40 mijë më shumë se gjatë vitit 2020.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë 81 azilkërkues që kanë mbërritur përmes Mesdheut në Itali duke kërkuar strehim e mbrojtje ndërkombëtare.

Por e majta italiane akuzon liderin e Lidhjes se gjithçka thotë është vetëm një sllogan elektoral, e se gjatë kohës kur ai ishte Ministër i brendshëm, zbarkimet e emigrantëve nuk u ndaluan me muaj që kanë regjstruar mesatarisht 100 azilkërkues në ditë.

Nga ana tjetër e majta italiane me forcën kryesore Partinë Demokratike përmes liderit të saj, Enrico Letta, hedh propozimin se për të kapërcyer këtë krizë fluksi të ri emigracioni që po kalon Italia, është e domosdoshme të dilet nga traktatet europiane e të realizohet marrëveshje me çdo vend mikpritës si një formë mikpritje shpërndarëse dhe me ndihmën e vendeve të treta.

"Vetëm kështu, ka deklaruar ai, mund të kapërcejmë këtë situatë."