Tajvani qëllon drejt dronëve të paidentifikuar pranë ishujve periferikë

Tajvani ka gjuajtur të shtëna paralajmëruese drejt tre dronëve të paidentifikuar që fluturuan pranë ishujve të tij periferikë.

Nuk është e qartë se kush po fluturonte me dronët, por të tre u panë duke fluturuar përsëri drejt territorit kinez, tha ministria e mbrojtjes e Tajvanit.

Kjo vjen pasi Taipei gjatë javëve të fundit është ankuar për dronët kinezë që fluturojnë pranë ishujve të kontrolluar nga Tajvani pranë bregdetit kinez.

Është hera e parë që të shtëna paralajmëruese janë lëshuar ndaj dronëve të tillë.

Nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme nga Kina, megjithëse Pekini kishte hedhur poshtë ankesat nga Tajvani për ngacmimet e përsëritura nga dronët kinezë.

"Dronët kinezë që fluturojnë mbi territorin e Kinës, çfarë ka për t'u habitur?" tha të hënën zëdhënësi i ministrisë së jashtme Zhao Lijian.

Ministria e Jashtme e Tajvanit shprehu zemërimin për komentet e tij, duke thënë se "njerëzit e paftuar quhen hajdutë".

Në fillim të javës së kaluar, Tajvani zbuloi një buxhet rekord të mbrojtjes - duke propozuar një buxhet të rritur prej 19 miliardë dollarë.

Presidenti i Tajvanit Tsai Ing-wen kishte thënë më herët se Tajvani do të marrë masa "të duhura" kundër taktikave të zonës gri, duke shtuar se ato nuk do të "provokojnë mosmarrëveshje dhe ne do të ushtrojmë vetëpërmbajtje, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kundërshtojmë ".

Tensionet midis Tajvanit dhe Kinës mbeten pothuajse në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave pasi kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi vizitoi ishullin vetëqeverisës në fillim të gushtit.

Kina kreu stërvitjet e saj më të mëdha ushtarake ndonjëherë në detet rreth Tajvanit pas vizitës.

Kina e pa vizitën si një sfidë ndaj pretendimeve të saj për sovranitet mbi Tajvanin, i cili e sheh veten si të veçantë.