Rusët do të mbyllin Nord Stream deri më 3 shtator

Ndërprerja e rrjedhës së gazit natyror përmes gazsjellësit Nord Stream 1 do të zgjasë katër ditë, jo tre, siç u njoftua fillimisht nga Gazprom, duke ringjallur shqetësimin në Bashkimin Evropian, i cili ka frikë se mund të ketë një mbyllje të plotë dhe të përhershme të furnizimeve nga Rusia.

Fillimisht, gjigandi rus energjetik kishte njoftuar më 19 gusht se do të mbyllte sërish tubacionin e gazit natyror Nord Stream 1 për tre ditë për shkak të punimeve të riparimit. 

Data e mbylljes së gazsjellësit u caktua për 31 gusht, ndërsa rifillimi i flukseve të gazit natyror në Evropë ishte planifikuar për 2 shtator.

Sipas njoftimit të fundit zyrtar të Gazprom, megjithatë, plani tani ka ndryshuar.

Njoftimi zyrtar i Gazprom

"Pompimi i gazit natyror përmes Nord Stream do të ndërpritet nga ora 04:00 me orën e Moskës më 31 gusht deri në orën 04:00 me orën e Moskës më 3 shtator për shkak të riparimit të njësisë së vetme të pompimit të gazit që ka mbetur në funksion ", thuhet në njoftimin e Gazprom që u botua në Platforma informative Seeburger.

Kur të rifillojë operimi, pra pas përfundimit të riparimeve, sipas njoftimit të Gazprom, do të rifillojnë prurjet prej 33 milionë metër kub në ditë.

Mbyllja e “rubinetit” pritet të godasë më së shumti furnizimin me gaz natyror të Europës, pasi gazsjellësi po funksionon tashmë me vetëm 20% të kapacitetit të tij. Kapaciteti i plotë i Nord Stream 1 është 167 milionë metra kub në ditë.

Dërgesat e gazit natyror në grupin francez Engie janë ndërprerë plotësisht

Në të njëjtën kohë, gjigandi rus energjetik njoftoi se do të pezullojë plotësisht dërgesat e gazit natyror për grupin francez Engie nga e enjtja, për shkak të mospagesës për dërgesat e bëra në korrik.

"Gazprom Export ka informuar Engie për pezullimin e plotë të dërgesave të gazit natyror nga 1 shtatori 2022 deri në pagesën e të gjitha borxheve për dërgesat ," tha grupi rus në një njoftim për shtyp të publikuar të martën në mbrëmje në llogarinë e tij Telegram.

Sipas një dekreti të nënshkruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, në fund të marsit, "ndalohet dërgimi i gazit natyror për një blerës të huaj që nuk ka bërë një pagesë brenda periudhës së caktuar të parashikuar në kontratë ". 

Duke cituar dekretin, Gazprom thekson se nuk ka marrë shumën e plotë për dërgesat e korrikut.

Drejtuesit e Engie nuk ju përgjigjën një kërkese të Agjencisë Franceze (AFP) për koment. 

Kompania franceze ka siguruar se tashmë ka zbatuar masa për t'u shërbyer klientëve të saj edhe në rast të ndërprerjes së plotë të furnizimit me gaz natyror nga Gazprom.

Dërgesat e gazit rus në Engie tashmë ishin reduktuar ndjeshëm pas pushtimit rus të Ukrainës.