RTV Ora zbardh ngjarjen: Minoreni shqiptar braktiset në rrugë nga familjarët, grabitet nga shoqëruesi
Një tjetër minoren shqiptar i sapo mbërritur me traget nga Shqipëria gjendet i braktisur në rrugë nga Autoritetet policore italiane.
E në këtë rast me një skenar të njohur për kronikën e mediave lokale dhe organet hetuese, shtohet një tjetër dramë; minoreni i pashoqëruar shqiptar është grabitur nga personi i cili ishte ngarkuar nga familja ta shoqëronte në qytetin e Milanos.
RTV Ora e Ora News kanë kontaktuar me kapitenin e patrullës së karabinierëve që u kujdesën për minorin shqiptar e ka zbardhur se është i datëlindjes 2006, pra vetëm 16 vjeç.
Skenari është tashmë i njëjti, me prindër, o me njërin prej tyre, me familjarë o të njohur që udhëtojnë në Itali, minorenë shqiptarë, kryesisht të moshës 16-17 vjeçare mbërrijnë në Itali me vetëdijen e dëshirën e prindërve që të merren në dorëzim nga shërbimet sociale që i garantojnë, shkollim, strehim e më pas me mbushjen e moshës 18 vjeçare dhe leje qëndrim që u jep atyre mundësi të punojnë e të integrohen si emigrantë të rregulltë në shoqërinë italiane.
Rasti në fjalë, të paktën me aq sa ka treguar minoreni, i shtohet rëndesa se njeriu i besuar nga familja, i ka vjedhur gjithçka çfarë kishte me vete duke i lënë vetëm dokumentin identifikues.
Minoreni është braktisur në Pescara e kanë qenë forcat e repartit të karabinierisë që kanë dhënë ndihmën e parë duke e shoqëruar pranë strehës më të afërt e të disponueshme për minorenë të pashoqëruar, brenda territorit të Pescarës.
Sipas bisedës që RTV Ora e Ora News pati me forcat e policisë, minoreni nuk di asnjë fjalë në gjuhën italiane, e është vërtetuar se ka mbërritur me traget nga Shqipëria më 28 gusht. Më pas së bashku me shoqëruesin shqiptar ka udhëtuar drejt Milanos.
Në qytetin e Pescarës është vjedhur nga gjithçka ka pasur me vete e është braktisur në mes të rrugës. Policia Italiane thotë se ende nuk kanë identifikuar shqiptarin që ka krye këtë akt e po vazhdojnë hetimet për kapjen e tij.
Vetëm një muaj më parë një tjetër minoren shqiptar 16 vjeç u gjet i braktisur në autostradën A14 me drejtim Triesten.
Italia me një ligj të veçantë i miratuar më vitin 2017, Ligji Zampa, merr në mbrojtje e nuk lejon dëbimin nga territori i saj, emigrantë minorenë të huaj, pa prindër që identifikohen apo kërkojnë strehim në strukturat e autoritetet italiane.
Të dhënat e fundit të Ministrisë së Punës e Çështjeve sociale kanë dokumentuar numrin në rritje të minorenëve të pashoqëruar shqiptar në Itali të cilët në ndarjen e tyre sipas kombësive janë ngjitur në vendin e tretë pas tyre ukrainas e egjiptianë e duke lënë pas minorenët që vijnë nga Afganistani, Bangaldeshi, Pakistani.
Deri në fund të muajit qershor janë 1302 minorenë shqiptarë të marrë në mbrojtje nga shteti italianë e së shpejti pritet të kemi të dhëna më të përditësuara.
