Tentuan të futen ilegalisht në Gjermani, arrestohen 7 shqiptarë, pritet të riatdhesohen në Shqipëri

Policia gjermane ka arrestuar 7 shqiptarë të cilët kishin tentuar të futeshin ilegalisht në Gjermani.

Mediat gjermane bëjnë me dije se shqiptarët e moshës 22 deri në 50 vjeç të cilët ranë në pranga pritet të riatdhesohen në Shqipëri.

Mësohet se ata akuzohen  se kanë tentuar të hyjnë ilegalisht në vend dhe janë punësuar në mënyrë të paligjshme.

Gjithashtu, një nga shtatë personat dhe një tjetër shqiptar morën kallëzim penal për kontrabandë me të huaj. Dy kontrabandistët e dyshuar ishin secili pas timonit të automjeteve që u ndaluan në kontrollet kufitare

Në kufirin e Kiefersfelden, oficerët e policisë federale ndaluan një minibus dhe një makinë me targa gjermane. Shoferi 29-vjeçar i minibusit  ka mundur të identifikohet me letra të rregullta.

Ndërkohë, drejtuesi 30-vjeçar i makinës dhe gjithsej gjashtë pasagjerët nga të dyja automjetet nuk i kishin dokumentet që kërkohen për qëndrim në Gjermani.

Në pyetje në policinë kufitare, shtetasit shqiptarë kanë deklaruar se aktualisht punonin në një kompani gjermane, por që pas hetimeve ata rezultuan se ishin pa kontrata pune, shkruajnë mediat e huaja.

Shoferi i minibusit, i cili aktualisht jeton në Gjermani, fillimisht u arrestua për kontrabandë por u lirua pas përfundimit të hetimeve.

Sakaq drejtuesi i makinës ka marrë kallëzim penal për kontrabandë dhe tentativë për hyrje të paligjshme. Në përputhje me urdhrin e gjykatës së rrethit Rosenheim, ai u burgos së bashku me gjashtë bashkatdhetarët e tij shqiptarë, të cilët përballen me akuzën e tentativës për hyrje të paligjshme.