Jo mësim online për nxënësit pozitivë me Covid-19, Italia përgatitet par nisjen e vitit të ri shkollor

Italia përgatitet të hap sezonin e ri arsimor për 7.4 milionë nxënës e studentë që do të nisin këtë viti shkollor jo më në emergjencë pandemike, por me problematikat e pasojave të një lufte aktuale që influencon negativisht në koston ekonomike të familjeve e të instituteve shkollore.

Jo më mësim online për nxënësit e infektuar nga Covid 19, jo më maska të detyrueshme, jo më matja e temperaturës në hyrje të shkollës, e të gjithë nxënësit të pranishëm në klasë dhe ata që shfaqin shenja virale dhe nuk janë pozitivë nga koronavirusi.

Italia përgatitet të nis vitin e ri shkollor me rregulla të reja që sapo janë bërë publike nga një urdhëresë speciale e Ministrisë së Arsimit.

"Emergjenca pandemike kombëtare ka marrë fund e bashkë me të dhe mësimi online" udhëzon kjo ministri. Nxënësit do të mund të ndjekin mësimet vetëm në prani, dhe pasi janë negativizuar nga Covid 19.

Matja e temperaturës trupore e maskat e detyrueshme nuk do të aplikohen më e për nxënësit që shfaqin shenja gripi, nuk do të ketë asnjë limit në frekuentimin e mësimit në prani.

Maskat shëndetësore do të mund të përdoren vetëm nga mësuesit e nxënësit me probleme shëndetësore.

Janë rreth 7.4 milionë nxënës që do të nisin vitin e ri shkollor 2022-2023 në Itali e rreth 100 mijë më pak në krahasim me sezonin e një viti më parë.

Ky fakt lidhet me numrin e ulët të lindjeve që shënon vit pas viti popullsia italiane e që sipas parashikimeve të ekspertëve brenda 10 viteve do të prodhoj një reduktim prej 1 milionë e 400 mijë nxënës.

Por nisja e vitit të ri shkollor përkon dhe me një situatë politiko-ekonomike ndërkombëtare që prodhon pasoja negative në koston e materialeve didaktike. 

Sipas Agjencisë së Mbrojtjes së konsumatorëve librat e materiali shkollor ka shënuar këtë sezon, një rritje me 7% të kostos së tyre e një familje mund të arrij të shpenzoj deri në 1300 euro për cdo fëmijë në shkollë.

Vlera mesatare është llogaritur të jetë 588 euro për materialet shkollore e nga 300 në 600 euro për librat.

Viti i ri shkollor përkon dhe me sezonet e ftohta të vjeshtës e dimrit si dhe me rritjen e lartë të çmimit të energjisë e gazit që çdo institut shkollor duhet të përballoj për të garantuar ngrohjen e ambientit.

E mbi këtë fakt disa propozime mbërrijnë nga rajone të ndryshme italiane me hipotezën e shkurtimit të javësh shkollore e mësimit online në ditët më të ftohta të vitit. Për momentin mbeten vetëm teza mbi të cilat Ministria Italiane e Arsimit nuk ka bërë asnjë deklaratë apo koment.