“Drejtësi për 43 studentët e humbur”, pas 8 vitesh zbardhet “krimi shtetëror”, arrestohet ish-prokurori
Më shumë se 1 mijë persona iu bashkuan protestave në Mexico City duke kërkuar ndëshkim për zyrtarët e përfshirë në zhdukjen e 43 studentëve në vitin 2014. Fati i të rinjve ka mbetur mister i pazgjidhur pavarësisht viteve që kanë kaluar dhe kërkesave të përsëritura për hetimin e ngjarjes.
“Krim shteti”, këtë zbuloi raporti i fundit i qeverisë meksikane për 43 studentët e zhdukur gati 8 vite më parë. Nënat dhe baballarët e tyre marshuan të premten duke kërkuar drejtësi për fëmijët e tyre të humbur në Mexico City pas arrestimit të ish-prokurorit të përgjithshëm të çështjes.
Fati i studentëve është një mister, i cili mbetet i pazgjidhur pavarësisht viteve të tëra shqyrtimi dhe interesi ndërkombëtar.
Studentët kishin vizituar qytetin jugperëndimor të Iguala nga një kolegj mësuesish në Ayotzinapa kur autobusët e tyre u kapën nga policia lokale dhe forcat ushtarake federale në shtator të vitit 2014.
Të mbijetuarit nga grupi fillestar prej 100 studentësh thanë se autobusët e tyre ishin ndaluar dhe qëlluar nga oficerë policie dhe ushtarë të armatosur. Autobusë të mbushur me plumba e me xhama të thyer u gjetën më vonë në rrugët e qytetit.
Rreth 43 studentë u zhdukën.
Një raport i qeverisë javën e kaluar i referohej incidentit si një "krim shtetëror", bazuar në mijëra dokumente, mesazhe, regjistrime telefonike, dëshmi dhe prova të tjera.
Jesus Murillo Karam, ish-prokurori i përgjithshëm i Meksikës, u arrestua një ditë pasi raporti doli në dritë dhe u akuzua nga zyra e prokurorit si i dyshuar për "krimet e zhdukjes me forcë, torturës dhe se ka ushtruar detyrën e tij kundër administrimit të drejtësisë".
Ai kishte udhëhequr hetimin e shtetit për zhdukjet e studentëve, por u kritikua nga presidenti i atëhershëm Enrique Peña Nieto për mungesën e transparencës në trajtimin e çështjes.
Prindërit e 43-ës përgëzuan arrestimin e tij.
"Sot, gjyqtari që procedon çështjen është dakord me ne. Murillo Karam kreu një hetim të dyshimtë, të parregullt, i torturuar, manipulim dhe fabrikim provash, duke ndërtuar kështu një gënjeshtër që na pengoi të dinim vendndodhjen e fëmijëve tanë," thuhet në deklaratën e përbashkët të prindërve.
"Ne nuk mund të heqim dorë nga lufta derisa të kemi prova të plota të vendndodhjes së tyre. Do të jetë e dhimbshme për familjet tona të mësojnë për fatin e tyre, veçanërisht nëse janë të pajetë, por nëse na japin prova shkencore dhe të prera, ne do të shkojmë në shtëpi për të mbajtur zi. Deri më sot nuk i kemi këto prova, prandaj kërkesat dhe lufta jonë vazhdojnë".

