Gjermani/ Dy vëllezër, 7 e 9 vjeç mbyten në liqen
Dy fëmijë britanikë, vëllezër humbën jetën pasi u mbytën në liqenin Simmerath, afër Aachen, në perëndim të Gjermanisë.
Djemtë, vëllezër, shtatë dhe nëntë vjeç, kishin shkuar me familjen me pushime në Holandë. Liqeni natyror në Simmerath, afër kufijve me Holandën dhe Belgjikën, është një destinacion mjaft i frekuentuar për banorët vendas dhe turistë.
Prindërit raportuan zhdukjen e fëmijëve mbrëmjen e së enjtes.
Dëshmitarët raportuan se kishin parë një grup njerëzish në panik pak pas orës 18:00 të së enjtes, kur u zbulua se djemtë ishin zhdukur.
Pak orë më vonë djemtë u gjetën dhe arritën të nxirreshin nga uji. Ata u dërguan në spital por pavarësisht ndihmës mjekësore ata nuk mbijetuan dhe të premten në mëngjes u deklaruan të vdekur, shkruajne mediat vendase.
Raportet e pakonfirmuara thonë se ata nuk ishin në gjendje të notonin.
Policia gjermane tha se po përpiqen të zbulojnë nëse kemi të bëjmë me një vepër penale duke përfshirë neglizhencën.
Liqeni mbikqyret nga shpëtimtarë vullnetarë, por vetëm gjatë fundjavave.
Familja kishte qene me pushime në Holandë përpara se të udhëtonin në Gjermani.
