Urdhërkontrolli në shtëpinë e Trumpit, FBI-ja kishte frikë prishjen e materialeve, u gjetën dokumente “Top Secret”

Dokumentet e bëra publike për hetimet mbi Trumpin tregojnë se ish-presidenti rrezikon akuza të forta penale, deri edhe për spiunazh. FBI-ja bëri publik urdhërin për bastisje, ku shkruhej për dyshim të arsyeshëm se mund të kishte dokumente të klasifikuar sekret në shtëpinë e tij. Ata dolën nga shtëpia e Trumpit me 15 kuti, 14 prej të cilave mbanin dokumente sekrete të SHBA-së. Trumpi ndërkaq e cilëson këtë akt si gjueti shtrigash.

Ministria amerikane e Drejtësisë ka bërë publike 38 faqet e urdhërit për të bastisur shtëpinë e Donald Trumpit në Florida.

Dokumenti i bërë publik erdhi pas një kërkese gjithnjë e më të fortë nga publiku dhe gazetarët për të zbardhur të vërtetën.

Një pjesë e republikanëve mendojnë se kjo është gjueti shtrigash, siç e ka përshkruar edhe vetë Donald Trumpi.

FBI-ja do të mbërrite në derën e ish-presidentit, ashtu siç e shkruajnë edhe në urdhëresë, pas dyshimeve të forta për dokumente sekrete që Trumpi kishte marrë me vete pasi la Shtëpinë e Bardhë.

Hetimet deri edhe për spiunazh nuk kanë munguar të artikulohen nga analistët amerikanë. Në shtëpinë e Trumpit u gjetën dokumente me sekret të lartë shtetëor, të cilat kanë shqetësuar agjencitë e inteligjencës.

Sipas njërit prej strategëve kryesore republikanë në kohën e Bushit, Karl Rove, informacionet se Trumpi ka marrë me vete dokumente shumë sekrete, kanë ardhur nga një person i afërt në stafin e tij të Shërbimit Sekret.

Ish-presidenti Trump ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo keqbërje dhe ka akuzuar FBI-në për korrupsion dhe se kjo po ndodh për arsye se nuk duan që Trumpi të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Aktualisht FBI-në e drejton Christopher Wray, një republikan të cilin Trump e emëroi në këtë pozicion .