"Shteti shqiptar aksioner në Portin Turistik të Durrësit," Rama replikon me opozitën: Do jetë Port binjak i Dubait

 U mbajt sot në kryeministri ceremonia e firmosjes së Memorandumit të Mirëkuptimit midis "Eagle Hills Real Estate Development" shpk dhe “Albanian Seaports Development Company” sh.a që i hap rrugë ligjit për fillimin e investimit të Portit Turistik të Durrësit.

Rama u shpreh besimplotë se një investim i tillë do i japë një perspektivë të re Shqipërisë madje shtoi se nuk do të ketë të krahasuar as me portin e Malit të Zi

“Këtu është fjala për imazhin që Shqipëria do të ketë në botë. Një port “of Montenegro” bëri Mali i Zi dhe hapi një erë të re. Nëse sot pagat në Malin e Zi janë më të larta në rajon është rezultat i një rruge që nisi me portin. Ky port of Montengro është një perlë por nuk do të ketë krahasim me atë që do të ndërtojmë në Durrës.

Porti më i madh turistik në Mesdhe. Një port që do të jetë port binjak i marinës së Dubait, e cila është ndërtuar dhe për të cilën kudjeset personalisht investitori ynë”

"Shteti shqiptar do të jetë ortak" tha Rama duke iu përgjigjur akuzave të opozitës lidhur me marrëveshjen e portit të Durrësit.

Edi Rama:"Shteti shqiptar në këtë port nuk do të jetë sic është parafytyruar dikur si entiteti që i jep tokën investitorit dhe shteti merr prapa të mirën që burojnë nga investimi por jo. Shteti shqiptar do të jetë aksioner, ortak. Dhe shteti është ortak kur ata që negociojnë mendojnë për shtetin dhe jo xhepin e tyre sic kanë menduar tërë jetën e tyre ata që akuzojnë se ne bëjmë të njëjtën gjë  që ata kanë bërë se nuk dinë ta shikojnë ndryshe. Por kjo i mbetet negociatave që do të finalizohen e publikohen si rezultat në momentin kur marrëveshja do të shkojë në parlament për tu miratuar."

Memorandumi i Bashkëpunimit, midis "Eagle Hills Real Estate Development" shpk, përfaqësuar nga investitori e zhvilluesi me famë botërore Muhammed El Alabbar dhe “Albanian Seaports Development Company", për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina", ndërtimin e portit më të madh turistik të Mesdheut në Durrës u firmos pas 3 viteve negociata. Rama ne postimin ne facebook shkruan se ky projekt ka bekimin edhe të Presidentit te Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed.

Negociatorët e palës shqiptare                                                                                                

Besart Kadia kryesuesi i komitetit për negocim

Ilir Bejtja zv.ministri i Infrastrukturës dhe zv. ministrat e turizmit dhe bujqësisë  

"Nuk ka qenë negociatë e lehtë. Kemi pasur shumë pika për të cilat kemi diskutuar. Do ta quaja kohë të vështira" tha investitori Muhammed El Alabbar