Ukraina me sytë nga Kina/ Zelenski kërkon bisedime të drejtpërdrejta me presidentin kinez
Presidenti Zelenski kërkon që t’ia marrë Rusisë kalanë nga brenda. Së fundmi lideri ukrainas ka kërkuar marrëdhënie më të ngushta me aleaten e Moskës, Kinën. Kreu i shtetit beson se intensifikimi i bisedimeve me presidentin kinez do të ishte kyç për t’i dhënë fund luftës.
Presidenti i Ukrainës ka kërkuar ndihmë direkte Pekinit për t’i dhënë fund luftës në shtetin e tij.
Në një intervistë për mediet kineze, Vollodimir Zelenski dëshiron që të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me presidentin e Kinës Shi Xhinping në mënyrë që Pekini të përdorë fuqinë e tij ekonomike e politike për të shtyrë Moskën drejt respektimit të normave ndërkombëtare.
Zelensky thotë gjithashtu se shpreson se Kina dhe vendet e tjera do të bashkohen për të mbështetur rindërtimin e Ukrainës.
"Kina është një shtet dhe një ekonomi shumë e fuqishme. Ajo mund të ndikojë politikisht dhe ekonomikisht në Rusi. Kina është gjithashtu një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së," tha Zelenski.
Sipas kreut të shtetit ukrainas, pa Kinën, ekonomia ruse do të kishte kapitulluar pas sanksioneve.
"Unë jam i sigurt se pa tregun kinez në Federatën Ruse, Moska do të ndiente izolim të plotë ekonomik," tha ai.
Lideri ukrainas beson se një bisedë mes tij dhe kreut të shtetit komunist do të ishte e rëndësishme për Kievin, io cili gjendet në mes të agresionit rus.
"Do të desha të flisja drejtpërdrejt me presidentin Shi Xhinping. Që nga fillimi i agresionit rus ne kemi kërkuar një bisedë me Kinën, por ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Pekini edhe pse besoj se ajo do të ishte e dobishme," tha ai.
Superfuqia aziatike ka ruajtur gjoja neutralitetin mes Moskës dhe Kievit duke mos vendosur sanksione ndaj Rusisë edhe pse marrëdhëniet mes dy shteteve janë në pikën e tyre më të lartë.
Megjithatë vitin e kaluar Pekini ishte partneri tregtar i Ukrainës me një qarkullim tregtar me vlerë pothuajse 19 miliardë dollarë sipas shifrave nga ambasada e Kievit në Kinë.
