Zgjedhjet e parakohshme në Itali, në garë dhe partia e re "Angazhimi Qytetar" e Di Maio-s

Më pak se dy muaj nga zgjedhjet e parakohshme në Itali, fushata elektorale shfaqet çdo ditë e më e nxehtë.

Forcat politike u mbetet më pak se dy javë dhe brenda datës 14 gusht duhet të depozitojnë simbolet e tyre, ndërsa brenda 21 gushtit listën e kandidatëve për garën e 25 shtatorit.

E në këtë klimë të nxehtë elektorale një parti e re është rreshtuar në panoramën politike italiane.

Quhet partia "Angazhimi Qytetar" (Impenj Civico) e sapo është krijuar me iniciativën e ministrit të jashtëm të qeverisë "Draghi", Luigi Di Maio, një nga ish-eksponentët kryesorë të Lëvizjes 5 Yje që pak javë më parë deklaroi daljen nga kjo parti për shkak të papajtueshmërisë së linjës politike me kreun e saj, Giuseppe Conte.

"Kjo është Partia Reformuese, me këndvështrim ndaj inovacionit, të rinjve, problematikave sociale, e nuk kërkon të dialogojë me ata që politikën e bazojnë tek JO-ja.

Partia jonë është një lëvizje që kujdeset për Italinë, për të gjithë Italinë, nga ato më shtresat më të ndjeshme tek ato më të komplikuara," është shprehur lideri i saj Luigi Di Maio, e kryediplomat ende në detyre i qeverisë Draghi.

"Angazhimi Qytetar" ka një strategji të qartë politike në votën e 25 shtatorit, të mundë ato forcat politike që shkaktuan krizën qeveritare, të mundë Lëvizjen 5 Yje e të djathtën italiane.

"Fitorja e ekstremistëve do të thotë izolim ndaj Europës", u shpreh Di Maio, gjatë prezantimit të Partisë së re e cila ka si simbol një bletë të stilizuar mbi një sfond të portokalltë.

Sipas kreut të saj, qëllimi i "Angazhimit Qytetar" është bashkimi e programi i një qeverie të njëjtë me atë të Mario Draghi.

"Ekstremistët t'i lëmë mes grindjeve, vetove e ironive të tyre. Synimi ynë është bashkimi e jo ndarja, u shpreh Di Maio, e përballë prioriteteve të vendit, kërkojmë bashkimin e jo përcarjen."

Partia "Impenjo Civico" ka si themelues dhe nënsekretarin e shtetit në ekzekutivin italian, Bruno Tabacchi, lider historik i partisë "Qendra Demokratike".