Kievi heq dorë nga Donbasi e Krimeja , SHBA: Mund të ketë paqe me Rusinë, Ukraina do vetëm territoret në jug
Ukraina mund të jetë dakord që të lëshojë disa territore të saj në lindje si dhe të heqë dorë nga rimarrja e Krimesë në emër të paqes, por pala ruse do të duhet t’i rikthejë rajonet jugore ukrainase tashmë të pushtuara.
Ligjvënësi amerikan nga radhët e Demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Adam Smith ka dhënë sinjale se Kievi mund të bjerë dakord për një marrëveshjeje paqeje me Moskën.
Smith, i cili është edhe kreu i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve i cili së bashku me një grup ligjvënësish vizituan Kievin në fund të javës së kaluar, mësoi se Ukraina mund të firmosë paqen me Moskën, por përpara saj duhet të sigurohet integriteti territorial, sidomos në jug të vendit.
Nuk dihet nëse Ukraina ka hequr dorë përfundimisht nga rajoni i aneksuar në 2014, Krimeja dhe rajonet e pushtuara në Donbas, Donjeck e Lugansk, ku gjenden edhe të ashtuquajturat republika të cilat u njohën nga Moska si të pavarura nga Kievi përpara fillimit të luftës.
Ndërsa Ukraina kërkon çlirimin e rajoneve të pushtuara në jug të vendit, Rusia ka nisur punën për restaurimin dhe rusizimin e Kersonit, Zaporizhjas dhe Mariupolit.
Në këto tre rajone, ka nisur puna për lëshimin e pasaportës ruse në mënyrë të përshpejtuar dhe madje banorët e këtyre territoreve mund t’i drejtohen edhe referendumeve për bashkimin me territorin e Rusisë siç ndodhi në Krime.
Adam Smith thotë se 3 deri në 6 javët e ardhshme do të jenë vendimtare për Ukrainën dhe se SHBA-të duhet të dërgojnë në Kiev armë të rënda me rreze të gjatë veprimi, të cilat u panë si një kërcënim nga Moska, e cila paralajmëroi edhe një luftë të drejtpërdrejtë SHBA-Rusi.
Nëse lufta vijon deri në dimër, sipas demokratit situata do të shkonte në favor të Rusisë, të cilët do ta çmontonin ushtrinë ukrainase.
