‘Jam në gjakmarrje, babai ka vrarë dikë”, arrestohet shqiptari brenda fermës së kanabisit në Angli, la shkollën për t’u marrë me drogë

Shqiptari Geraldo Xixi, është arrestuar në Britani pasi është kapur në një  fermë kanabisi. Policia është futur me forcë në banesë, ndërkohë sipas asaj që raportojnë mediat britanike, i riu ishte ngjitur në tarracën e shtëpisë ku kultivohej kanabisi. 

Ai vrapoi nëpër çatitë e shtëpive të tjera për rreth gjysmë ore mbi çati derisa në fund ra në duart e policisë.  

Gjatë kontrollit policia gjeti 130 bimë me vlerë 60 mijë euro, që kultivoheshin nën mbikëqyrjen e 26-vjeçarit ndërsa sipas autoriteteve ata kishin vendosur në rrezik edhe shtëpitë e tjera ngjitur për shkak të lidhjes së energjisë elektrike.

Ndërkohë i riu ka deklaruar para gjykatës  se familja e tij ishte përfshirë në “gjakmarrje” pasi babai kishte vrarë një person në qytetin e tij të lindjes.

Sipas tij, ai ka hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe i ndihmuar nga një prej bandave shqiptare që merrej me kultivimin e kanabisit.

Duke folur para gjykatës 26-vjeçari shqiptar është shprehur se ai kishte rënë pre e bandave të trafikut të drogës me premtimin se do të punonte në ndërtim. Por ai është shfrytëzuar prej tyre pasi ata ishin në dijeni të përfshirjes së familjes së tij në gjakmarrje.

Xixi ka deklaruar gjithashtu se i duhej të mblidhte para për t’u kujdesur për nënën e sëmurë.

Ndërkaq, sipas prokurorisë angleze shqiptari nuk ka pasur asnjë dënim të mëparshëm në Britaninë e Madhe.

Ndërkaq, sipas prokurorisë angleze shqiptari nuk ka pasur asnjë dënim të mëparshëm në Britaninë e Madhe. Ata i kanë dërguar kërkesë autoriteteve shqiptare për të mësuar për ndonjë dënim të mundshëm në Shqipëri, por deri më tani nuk ka asnjë përgjigje, raportojne mediat britanike. 

Sipas prokurorëve anglezë, Xixi kishte studiuar për menaxhim biznesi në Shqipëri, por ai e kishte lënë shkollën të papërfunduar për shkak se shëndeti i nënës së tij ishte përkeqësuar dhe për këtë arsye ai kishte ardhur në Britaninë e Madhe për të bërë para sa më shpejt të ishte e mundur për kujdesin mjekësor të nënës së tij.