Dialogu Prishtinë – Beograd, opozita kritika për Kurtin: Po vonon marrëveshjen, kjo i leverdis Serbisë
Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është vënë në qendër të vëmendjes nga Amerika dhe Evropa. Ata kërkojnë marrëveshje mes palëve me në qendër njohjen. Opozita e Kosovës kritikon Kurtin duke thënë se ai po vonon marrëveshjen në leverdi të Serbisë.
Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është një nga temat qendrore në Ballkan sot, ku vëmendje të veçantë kanë vënë aleatët strategjikë amerikanë dhe Bashkimi Evropian.
Dështimin e takimit të nivelit të lartë në Bruksël, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa e sheh si stërzgjatje të dialogut.
"Kryeministri Kurti duhet të merret me dialogun, me marrëveshjen përfundimtare të njohjes reciproke ku hyjnë edhe marrëveshje të tjera.
Për momentin e shoh që po humb kohë me marrëveshjet e dialogut teknik dhe kjo është në kundërshtim me agjendën që duhet të ketë Kosova. Nuk po shoh të ketë ndonjë agjendë për dialogun, por mendoj që është më shumë se mediate që Republika e Kosovës ta mbyllë cështjen me Republikën e Serbisë dhe të kemi një njohje reciproke nga dy shtetet.
Fokusi dhe agjenda e qeverisë theksoj që duhet të jetë tek marërveshja e madhe, por jo të merret me marrëveshje teknike, pasi këto marrëveshje kanë qenë dhe më herët," deklaroi Beqa.
Time Kadrijaj, deputete e AAK-së, thotë se ka ardhur koha që dialogu të kalojë në nivel politik, drejt arritjes së marrëveshjes finale me njohje reciproke.
"Jo vetëm që kemi kaluar në një dialog jopolitik, por kemi kaluar në një dialog teknik, ku qeveria jonë po përqendrohet në çështjen e targave që nuk ka rëndësi. Ka shumë pak rëndësi çështja e targave dhe nuk po kalon në dialog politik.
Ne si parti opozitare dhe si aleancë, kemi kërkuar që të shkohet në dialog për një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht e obligueshme, me njohje reciproke, ku respektohet integriteti dhe sovraniteti territorial i Kosovës, ku respektohet organizimi i brendshëm, ku respektohet kushtetuta dhe ligjet e Kosovës," tha ajo.
Ndërkohë, vetë kryeministri Albin Kurti thtoë se është Serbia ajo që po saboton dialogun. Miroslav Lajçak, i dërguari special i BE-së për Dialogun, tha se në fillim të gushtit mund të kemi takim mes Kurtit dhe Vuçiçit.
