Zjarret “shkrumbojnë” Mitrovicën, evakuohen banorët e disa fshatrave
Vala e të nxehtit, nuk ka lënë pa prekur edhe Kosovën. Zjarret masive kanë shkrumbuar rajonin e Mitrovicës, duke rrezikuar edhe jetën e banorëve.
Disa fshatra në Mitrovicën e Jugut janë përfshirë nga zjarret masive, të cilat kanë rrezikuar edhe banesat. Zjarrfikësit së bashkë me Policinë, Forcat e Sigurisë së Kosovës si dhe të KFOR-it, u kanë ardhur në ndihmë banorëve, për të bërë të mundur evakuimin e tyre dhe shuarjen e flakëve.
Policia e rajonit të Mitrovicës Jugore, raportoi për disa vatra zjarri të rëna në fshatin Cërnushë. Flakët janë përhapur me shpejtësi dhe në fshatrat Kqiq e Zasellë, tha në një komunikatë për mediat zëdhënësja e policisë.
Zjarret kanë rënë edhe në komunën e Mitrovicës Veriore, ku në fshatin Suhadoll, u dogjën disa fusha. Policia tha se flakët u shuan shpejt nga forcat zjarrfikëse, duke mos rrezikuar banesat dhe duke mos lejuar përhapjen e tyre.
Si Shqipëria, ashtu edhe Kosova po përballen me zjarre masive, si pasojë e temperaturave të larta, por shpesh edhe të zjarrvënies së qëllimshme.
