Tajvani, mollë sherri SHBA – Kinë, amerikanët japin ndihmë ushtarake, kinezët thonë se po luajnë me zjarrin

Dy superfuqitë botërore janë përfshirë në një retorikë të fortë për shkak të vendit ishullor Tajvanit. Kalimi i luftëanijeve amerikane në detin afër Tajvanit, ndihma ushtarake ndaj vendit ishullor dhe mundësia e një vizite të zyrtares së lartë amerikane Pelosi ka sjellë reagimin e fort të Kinës se amerikanët po luajnë me zjarrin.

Ishulli i vogël krah Kinës, Tajvani, është kthyer në një mollë sherri mes dy superfuqive, Amerikës dhe gjigantit aziatik, Kinës.

Një vizitë e paralajmëruar e zyrtares së lartë amerikane Nency Pelosi në Tajvan ka sjellë reagim të fortë nga kinezët. Kina do të marrë "masa të forta" nëse Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi vijon me planet e raportuara për të vizituar Tajvanin, njoftoi ministria e Jashtme kineze.

Ajo fillimisht kishte planifikuar ta vizitonte në prill Tajvanin, por e shtyu pasi rezultoi pozitive me COVID-19.

Një pikë tjetër për të cilën kinezët kanë reaguar është edhe ndihma ushtarake e amerikanëve ndaj Tajvanit. Kina i kërkoi të hënën SHBA-së "të mos luajnë me zjarrin" për çështjen e Tajvanit, pasi amerikanët miratuan shitjen e mundshme të një pakete ushtarako-teknike me vlerë rreth 108 milionë dollarë.

Kjo do të jetë shitja e pestë e armëve në Tajvan që kur presidenti amerikan Joe Biden mori detyrën. Kina e kundërshton me vendosmëri shitjen e armëve amerikane në Tajvan dhe i kërkon Shteteve të Bashkuara ta anulojnë këtë plan.

Ndërkohë, një anije luftarake amerikane lundroi të martën në ujërat ndërkombëtare në ngushticën e Tajvanit për të treguar "angazhimin e Uashingtonit për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur", tha në një deklaratë Flota e 7-të nën Komandën e Paqësorit.

Edhe ky rast ka sjellë reagim nga Kina gjithashtu.