Rusia i vë 21 miliardë rubla gjobë Google për përhapjen e lajmeve mbi luftën në Ukrainë
Një gjykatë në Moskë ka gjobitur Alphabet, kompaninë që kontrollon Google, për dështimin në heqjen e përmbajtjeve që Rusia i konsideron të paligjshme. Gjoba është 21.1 miliardë rubla, e barabartë me 369 milionë euro.
Sipas Roskomnadzor, rregullatorit rus të komunikimeve, përmbajtjet e paligjshme janë për t'u hequr sepse ishin "lajm i rremë" për luftë në Ukrainë.
Rusia pretendon se lufta është një "operacion special ushtarak" që synon të rrisë sigurinë e popullsisë ruse që jeton në territorin ukrainas.
Sipas autoriteteve ruse, YouTube, nuk ka anuluar "lajmet e rreme për rrjedhën e operacionit special ushtarak në Ukrainë, duke diskredituar forcat e armatosura të Federatës Ruse".
Kremlini tha gjithashtu se YouTube promovon pikëpamjet ekstremiste dhe nxit fëmijët të marrin pjesë në protesta të paautorizuara.
Kjo nuk është hera e parë që Rusia kundërshton shpërndarjen e përmbajtjes nga platforma të huaja teknologjike që nuk përputhen me kufizimet e saj.
Pas fillimit të luftës në Ukrainë në shkurt, Rusia bllokoi aksesin në disa rrjete sociale perëndimorët si Facebook, Twitter dhe Instagram.
Google, i cili mund të apelojë, ende nuk ka komentuar vendimin. Pas marrjes së gjobës, llogaria bankare e njësisë ruse të Google u sekuestrua. Kompania më pas bëri kërkesë për falimentim dhe nuk ishte në gjendje të paguante stafin dhe furnitorët.
