Po ndiqnin 2 shqiptarët që vidhnin shtëpi në Itali, plagosen 4 policë pas përplasjes me të rinjtë
Katër karabinierë u plagosën pas ndjekjes së dy të rinjve në fshatin Montemurlo (Prato) të dyshuar si autorë të vjedhjeve në shtëpi.
Mediat italiane bëjnë me dije se dy shqiptarët, 26 dhe 34 vjeç, të dy pa leje qëndrimi dhe të papunë kanë sulmuar karabinierët në momentin kur ata i kanë gjetur.
Dy shqiptarët u arrestuan me akuzën e vjedhjes në një shtëpi dhe tentativës për vjedhje në një shtëpi tjetër, ndërkohë që ishin vëzhguar për një kohë të gjatë nga karabinierët.
Sipas raportimeve, karabinierët prej disa kohësh po vëzhgonin një makinë të dyshimtë, një Toyota Yaris, e parë rreth zonës së Ostes.
Nga targa u zbulua se pronari ishte një moldav me 124 makina në pronësi, anomali kjo që zgjoi interesin hetimor të karabinierëve nga Prato.
Rreth orës 23:30 të mbrëmjes të së enjtes, të dy u përpoqën të hynin në shtëpinë e një punëtori në Oste, në via Battisti, por alarmi ra dhe ata hoqën dorë nga vjedhja.
Më pas, ata kanë arritur të hyjnë në shtëpinë ngjitur, duke i marrë 100 euro cash dhe unaza ari dhe gurë me vlerë prej 1500 euro.
Gjatë ndjekjes u plagos dhe një nga shqiptarët, i cili përplasi kokën në xhamin e makinës.
