Zakharova: Perëndimi dështoi të izolonte Rusinë në G20
Vendet perëndimore nuk arritën të bojkotojnë Rusinë në takimin e G-20 në Indonezi, tha dje zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, me rastin e takimit ku u kritikua ashpër pushtimi rus në Ukrainë.
“Plani i G7 për të bojkotuar Rusinë në G20 dështoi. Askush nuk i mbështeti regjimet perëndimore”, shkroi Zakharova në Telegram.
Zakharova mohoi gjithashtu që ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov bojkotoi takimet gjatë samitit të G20 në Bali, megjithëse pjesëmarrësit thanë se ministri rus u largua nga disa seanca duke kritikuar ndërhyrjen ushtarake të Moskës në Ukrainë.
Shefja e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, tha se Lavrov ka kaluar një pjesë të madhe të negociatave jashtë sallës, që sipas saj është dëshmi se ai nuk është i “interesuar për bashkëpunim ndërkombëtar”.
“Çfarë absurditeti total”, u përgjigj Zakharova, duke reaguar ndaj kritikave të ministres gjermane, duke shtuar se Lavrov ka marrë pjesë në takimet në sallën kryesore para se të ketë takime dypalëshe me kolegë nga vendet e tjera.
"Qytetarët gjermanë duhet ta dinë se ministri i tyre i jashtëm po i gënjen," shtoi Zakharova.
Takimi i G-20, i cili është një përgatitje për samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive në Bali në nëntor, u shënua nga një ortek kritikash ndaj ofensivës që Rusia ka zhvilluar në Ukrainë që nga shkurti.
Edhe pse në takim nuk u mor asnjë vendim konkret, pjesëmarrësit shprehën shqetësim të thellë për pasojat humanitare të luftës në Ukrainë, tha në mbyllje të takimit ministri i Jashtëm indonezian Retno Marsudi.
Për shkak të konfliktit në Ukrainë, Rusia është nën sanksione të rënda ekonomike nga Perëndimi dhe izolim të shtuar diplomatik.
