Vokshi: Qeveria Rama është një lukuni e babëzitur, nuk ka kthim pas derisa ta largojmë
Ka marrë pjesë në dhjetëra protesta por kjo e 7 korrikut ishte më emocionuesja për deputeten Albana Vokshi.
Ajo e cilësoi një ditë të mirë për Shqipërinë dhe demokracinë, ndërsa theksoi se kjo protestë është pikënisja e një rruge pa kthim deri në rrëzimin e regjimit të Edi Ramës.
Vokshi: Sot është një ditë e mirë për Shqipërinë, për demokracinë. Sot është një ditë e keqe për Edi Ramën dhe qeverinë. Sot i themi të gjithë Edi Ramës nuk na gënjen dot, nuk na blen dot, nuk na tremb dot. Largohu! Për ne nuk ka më kthim pas, përpara derisa të largojmë kryeministrin më të keq dhe të korruptuar në tre dekada demokraci. Qeveria Rama është më e korruptuara dhe qeveria Rama është një lukuni e babëzitur që nuk pyet për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ky është regjim kundër çdo njeriu që kërkon të jetojë me dinjitet në vendin e tij. Edi Rama nuk do të ndalet, atë duhet ta ndalim ne. Protesta, protesta dhe vetëm protesta është gjuha e vetme që njeh Edi Rama. Ne nuk do të dorëzohemi. Premtojmë që këta këtu nuk do gëzojnë asnjë pasuri të vjedhur, asnjë qindrakë të vjedhur. Këta të gjithë duhet të dalin para drejtësisë, nuk ka krim pa ndëshkim.Ka vetëm një mënyrë për ti ndalur, duke reaguar, duke denoncuar, duke protestuar. Le të jetë 7 korriku dita e fillimit tonë të rezistencës ndaj të keqes.

